75 Mall Live Search
20:53 / E Diele, 02 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Euronews: Merr fund bllokimi politik katër mujor, arrihet marrëveshja për koalicion

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës arritën që të lidhin sot koalicionin bashkëqeverisës.

Pas shumë takimeve të zhvilluara këta muaj, VV dhe LDK ranë dakord edhe për ndarjen e ekzekutivit.

Lidhur me këtë së fundi ka raportuar edhe Euronews.

Aty thuhet se dy partitë më të mëdha të Kosovës arritën një marrëveshje koalicioni të dielën, duke i dhënë fund katër muajve bllokimit politik, transmeton Indeksonline.

“Vetëvendosje e krahut të majtë (VV) dhe LDK e qendrës së djathtë dolën në krye të zgjedhjeve parlamentare të tetorit”, raporton Euronews.

VV dhe LDK fituan 29 dhe 28 vende nga 120 gjithësej.

“Ata do të qeverisin me formacione më të vogla në mënyrë që të marrin shumicën e kërkuar prej 61 deputetëve. Zgjedhjet e parakohshme në tetor u mbajtën pas dorëheqjes së kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj, e cila ndodhi pasi ai u thirr nga Prokuroria Speciale në Hagë. Komiteti I vendimmarrjes i LDK-së, tashmë e miratoi marrëveshjen në një votim të dielën pasdite, me vetë komitetin e VV-së që pritet të bëjë këtë gjatë ditës”, raporton Euronews.

Qeveria e re e dalë nga ky koalicion do t’i nënshtrohet miratimit parlamentar të hënën.

Marrëveshja u arrit një ditë para skadimit të afatit dy javor të vendosur nga presidenti Hashim Thaçi dhe pas vizitave të profilit të lartë si Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe i Dërguari i Posaçëm Special i ShBA-së, Ambasadori Richard Grenell.

“Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Beogradi vazhdon të mos e njohë. Qeveria e re pritet të rifillojë bisedimet me Serbinë”, shton Euronews./Indeksonline/