Nostalgji: Dita e parë e Albin Kurtit si deputet i Kuvendit të Kosovës

Ditë e veçantë për Albin Kurtin ishte kur hyri në Kuvendin e Kosovës, asokohe si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, që kishte vetëm 14 deputet.
Si lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, bashkë me deputetin Rexhep Selimi dhe ish-deputetin Florin Krasniqi, Kurti u fut për herë të parë në dyert e objektit të Kuvendit të Kosovës si deputet opozitar.
Në një fotografi të realizuar nga fotografi i Indeksonline, Blerim Uka, shihet se si në atë kohë ish-ambasadori amerikan, Christopher Dell e shikonte Kurtin me shumë vëmendje teksa hynte në Kuvendin e Kosovës.

Në vitin 2010 u mbajtën zgjedhjet parlamentare, por në vitin 2011 u arrit formimi i Qeverisë së Kosovës.
10 vite radhazi, Albin Kurti qëndroi në Kuvendin e Kosovës, si pjesë e opozitës, por që gjithnjë numri i deputetëve të VV-së, ishte në rritje.
Si opozitë shumë e zëshme ishin edhe në legjislaturën e kaluar. Por në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme të cilat u zhvilluan më gjashtë tetor, partia e Kurtit u shpërblye nga qytetarët duke dalë partia fituese.
Kurti që në vitin 2010 mori 58 mijë e 467 vota, në vitin 2019 mori gjithsej 183 mijë e 952 vota, duke qenë kështu lideri më i votuar kosovarë.
Vëmendja që ish-ambasadori Dell i kushtoi Kurtit teksa hynte në dyert e Kuvendit, u bë vëmendje e të gjithëve ndër vite. Kurti ishte një nga zërat më të fuqishëm politikë ndër vite, e që tashmë zyrtarisht u emërua edhe kryeministër i vendit.
Kurti ndjeki kauzat e tij në politikë, ku pas vetes pati gjithë Lëvizjen Vetëvendosje që tashmë në Kuvendin e Kosovës ka 29 deputetë./Indeksonline/
