09:16 / E Martë, 11 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Fabrika iraniane, që prodhon flamuj amerikanë dhe izraelitë për t’i djegur

Pranë vendlindjes së liderit të ndjerë iranian, Ajetolahut Ruhollah Khomeini, punëtorët në një fabrikë të vogël iraniane shtojnë me zell 50 yjet dhe 13 vijat e kuqe në të bardhë në ato që supozohet të jenë flamuj amerikanë. Po ashtu ata disenjojnë me kujdes edhe flamuj izraelitë.

Por këto flamuj nuk prodhohen për të qendruar në shtiza. Flamujt amerikanë dhe izraelitë të prodhuar në këtë fabrikë përdoren për t’u djegur në tubime të ndryshme iraniane.

Kompania “Diba Parcham Khomein” shërben si një prodhues i madh për flamujt amerikanë dhe izraelitë që digjen vazhdimisht në mitingjet pro-qeveritare në Republikën Islamike.

Një tjetër grup flamujsh po përgatitet për 41-vjetorin e revolucionit iranian të martën. Festimet do të marrin një rëndësi të veçantë simbolike mes tensioneve të përshkallëzuara me Washingtonin pas sulmit të SHBA-së në Bagdad, ku u vrau gjenerali i Iranit, Qassem Soleimani, muajin e kaluar.

Megjithatë, pronari i fabrikës, si shumë iranianë të klasës së mesme, shpreson për marrëdhënie më të mira midis Teheranit dhe SHBA-së.

“Shpresoj të vijë një ditë që flamujt që prodhojmë të jepen si dhuratë”, tha pronari i fabrikës, Abolfazl Khanjani për Associated Pressin.

Megjithatë, ajo ditë, nuk ka ardhur ende në Khomein, një qytet i njohur si vendlindja e themeluesit të Republikës Islamike. Fabrika është në fshatin e afërt periferik të Heshmatieh. Pasi ngjyrosen, flamujt pastaj varen për t’u tharë në fabrikë.