75 Mall Live Search
21:22 / E Martë, 18 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Vrasjet e fundit në Kosovë, ekspertët e sigurisë numërojnë faktorët

Numri i vrasjeve në vendin tonë, po del të jetë shqetësues në këtë fillim vit.

Vetëm sot familja pesë antarëshe Bllaca nga Gjilani u shua, derisa në rrethana ende të panjohura dyshohet se një pjesëtare e Policisë së Kosovës, vrau prindërit, dy vëllezërit e më pas edhe veten.

Ekspertët e sigurisë teksa flasin për këto raste, thonë për IndeksOnline se numri i vrasjeve pas luftës po shkon duke u rritur, e për këtë ata numërojnë disa faktorë, shumica nga to lidhen me aspektin social e ekonomik.

“Dukuria e vrasjeve në Kosovë po vazhdon edhe këtë vit, madje numri i tyre po del të jetë goxha i madh. Ne si shoqëri po kalojnë në një fazë të vështirë, që nga përfundimi i luftës në vend. Gjendja e rëndë sociale e ekonomike ka vënë në një situatë të rëndë popullin.

Me një arsimim të dobët, pa një ekonomi të zhvilluar, pa hapje të vendeve të punës, mungesa e vendeve rekreative kulturore për të rinjtë, janë disa nga faktorët për rritjen e numrit të vrasjes. Vrasësi numër një është mjeti fuqi motorike e pastaj; vjedhjet e plaçkitjet etj”, sqaron për IndeksOnline, eksperti i sigurisë, Avni Islami.

Islami madje thotë se është urgjencë e cilës do qeveri, e cila do të vij të punojë në ngritjen ekonomike e sociale, sepse është e pamundur që mekanizmat e sigurisë të arrijnë efikasitetin.

Që klima e pasluftës dhe mos konsolidimi i organeve të rendit, ka ndikuar në vrasje, e thotë edhe njohësi tjetër i sigurisë, Fadil Kajtazi.

“Në vitet e para të pasluftës, ka pas shtim të numrit të vrasjeve, dhe vrasjet e motivuara politikisht dhe etnikisht kanë dominuar. Dhe natyrisht se kjo ka qenë e favorizuar nga klima e pasluftës dhe nga mos konsolidimi i organeve shtetërore.

Tani në 20 vite pas luftës, trendet e vrasjeve ordinere janë në rritje, ku motivacioni i tyre reflekton në gjendjen psiko – sociale të popullatës së Kosovës. Vendi ynë po kalon një fazë të vështirë psiko-sociale, ku mënyra e ndërtimit të marrëdhënieve shoqërore ka pësuar ndryshim rrënjësor. Kushtet ekonomike dhe lëngimi i konsolidimit të organeve shtetërore janë njëri nga determinuesit.

Mesatarja e zgjidhjes së një lënde civile në gjykata është 8 vite dhe po ta marrësh epilogun e përfundimit, i cili te rastet e mprehta, siç janë kontestet pronësore, përfundon me vendimin e të fortit, krijohen predispozita të marrjes së gjyqësisë në duart e qytetarëve të cilat natyrisht se përfundojnë me fatalitet.

Ose moszbatimi i procedurave ligjore të menaxhimit të dhunës familjare nga organet e rendit, zakonisht përfundojnë me fatalitet” , thotë Kajtazi për IndeksOnline.