75 Mall Live Search
12:10 / E Martë, 25 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Konstitutohet Komisioni për buxhet dhe transfere

Konstituohet edhe Komisioni për buxhet dhe transfere i kryesuar nga kryetari Hekuran Murati.

Murati para anëtarëve të rinj, njoftoi për fushëveprimtarinë e komisionit, i cili tha se është funksional, por po ashtu është edhe komision i përhershëm.

Si komision funksional shqyrton projektbuxhetin e shtetit dhe rishqyrtimin e tij si edhe është mbikëqyrës i disa agjencive të pavarura që ndërlidhen me financat publike.

Anëtari i komisionit, Bedri Hamza tha se ende Qeveria nuk e ka miratuar rregulloren për fushëveprimtarinë e ministrive dhe këtë informacion nuk e kanë as deputetët.

Anëtarja e komisionit, Mimoza Kusari-Lila, foli për buxhetin gjinor, andaj tha se kërkohet nga Ministria e Financave për përkrahje të projekteve në raport me buxhetin gjinor.

Anëtari Shkëlzen Hajdini, duke folur për buxhetin e shtetit, tha se si komision duhet të ketë përgatitje dhe angazhim për buxhetin që pritet në këtë muaj të sillet për shqyrtim në komision.

Komisioni vendosi, që çdo të mërkurë të mbahet mbledhja e Komisionit për buxhet dhe transfere në orën 10:00. Komisioni përbëhet prej 11 anëtarëve.