Ministrja Rexhepi, bashkë me delegacionin e kryetarëve të komunave për vizitë zyrtare, në IOWA

Është realizuar vizita dyditore e ministres Rexhepi dhe delegacionit nga Kosova, me ç’rast është formalizuar marrëveshja e 5-të ndërmjet komunave të Kosovës dhe qyteteve të shtetit të Iowa-s.
Bashkëpunimi midis dy shteteve ka filluar në kuadër të bashkëpunimit të Gardës Kombëtare Amerikane dhe FSK-së, në ngritjen e kapaciteteve, aftësimin dhe profesionalizimin e kësaj force, por që nga viti i kaluar ky bashkëpunim është fokusuar në rritjen e partneritetit të komunave të Kosovës dhe qyteteve të Iowas, duke thelluar bashkëpunimin në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, arsimit, kulturës dhe punësimit.
MAPL-ja në bashkëpunim me komunat, Konsulatën e Kosovës në IOWA dhe përfaqësues të shtetit të IOWA-s ka dhënë mbështetje dhe ka koordinuar bashkëpunimin ndërkomunal nderkombëtar, përmes formës së binjakëzimit midis qyteteve të IOWA-s ku janë finalizuar 5 iniciativa, ku përfshihen bashkëpunimet midis komunave: Prishtinë – City of Des Moines, Vushtrri – City of Norwalk, Pejë – Johnston, Gjakovë – Fort Dodge dhe Gjilan-Sioux city.
MAPL-ja është në proces te koordinimit për arritjen edhe të dy marrëveshjeve të reja ndërmjet Komunës së Podujevës dhe City of Ames dhe Komunës së Prizrenit dhe Iowa City.
Fushat e bashkëpunimit nga marrëveshjet e lidhura janë: e-qeverisja; bashkëpunimi kulturor, bashkëpunimi ekonomik dhe bashkëpunimin në fushën akademike.
Në vazhdën e vizitës së delegacionit të Kosovës në IOWA janë shkëmbyer informacione dhe rezultatet e deritashme sic është shkëmbimi i eksperiencave në fushën e arsimit dhe rinisë ku 10 studentë të infermerisë do të ndjekin studimet në universitetin DMACC; po ashtu edhe donacionet për ekipet e altetikës, mundjes, futbollit dhe basketbollit.
Delegacioni i kryesuar nga znj. Rexhepi është pritur në takime të veçanta nga përfaqësuesit e institucioneve qendrore dhe lokale të shtetit të IOWA-s.
Senatori Zach Nunn, njëkohësisht edhe kryesues i Komisionit për politikë të jashtme ka falënderuar ministren Rexhepi me ç’rast i ka ndarë edhe një certifikatë mirënjohje për përkushtimin e deritashëm të MAPL-së për të formalizuar bashkëpunimin e sidomos për rezultatet e arritura. Po ashtu edhe sekretari i shtetit Paul Pate, konfirmoi mbështetjen për të vazhduar bashkëpunimin, ndërkohë që ministrja Rexhepi e siguroi për mundësinë e hapjes së një zyre koordinuese në Prizren që do të jetë përgjegjëse për gjithë koordinimin e të gjitha aktiviteteve. Ndërsa në takimin me presidentin e DMAAC-së, Rexhepi konfirmoi përkrahjen për të fasilituar procesin me Ministrinë e Arsimit dhe Komunën e Prizrenit për të shfrytëzuar hapësirat e liruara nga KFOR-i për të parë mundësitë e zhvillimit të një projekti për të rinjtë në fushën e inovacionit dhe TI-së në bashkëpunim me DMAAC.
Po ashtu gjatë vizitës janë bërë diskutimet përfundimtare për te realizuar vizitën e nivelit të lartë të guvernatores së Iowas dhe grupit të biznesmenëve dhe universiteteve që planifikojnë të vizitojnë Kosovën në qershor, 2020.
Gjatë kësaj vizite, është rikonfirmuar edhe njëherë ndihma e pakursyer dhe përkrahja nga shteti i IOWA-s për të rritur bashkëpunimin në fushën e punësimit sezonal, shkëmbimit të studentëve dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe kulturës.
Ministrja ka ftuar publikisht kompanitë amerikane dhe investitorët që të investojnë dhe hapin fabrika në Kosovë, si vend strategjik në rajon dhe me potencial të madh të fuqisë se re punëtore.
Ministrja ka falënderuar shefin e Misionit përgjithshëm Artan Duraku për angazhimin e jashtëzakonshëm për të avancuar partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s.