Kurti – letër Trump-it: Në emër të Kosovës për dialogun me Serbinë, flas unë!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump si dhe Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.
Përmes këtyre letrave, kreu i Qeverisë së Kosovës, ka falënderuar ShBA-të, për mbështetjen e vazhdueshme.
Ndërsa, presidentin Trump e ka informuar për programin qeverisës dhe për qeverinë e re të Republikës së Kosovës, transmeton Indeksonline.
Në letrën e Kurtit për presidentin amerikan, ndër të tjera ai ka thënë se programi i qeverisë së re të Kosovës është i fokusuar dhe përqëndruar në dy shtylla kryesore. E para konsiston në zotimin tonë për të luftuar në mënyrë të pakompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shtylla e dytë, si prioritiet kryesor, ka rritjen ekonomike, zgjerimin e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës.
Po, ashtu kryeministri i Kosovës, në këtë shkresë zyrtare, ka thënë se duke filluar nga 15 Marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar.
Ndërsa, sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti i thotë presidentit Trump se deri më tani për këtë proces nuk ka pasur koordinim në mes të përfaqësuesve të Kosovës, por që kjo do të përfundojë me qeverinë që drejton ai.
“Ne jemi të vetëdijshëm se gjatë dy viteve të fundit ka pasur mungesë të theksuar të koordinimit ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës për rolin, interesin dhe qëllimet në dialogun me Serbinë, si dhe për mungesën e qartësisë se kush flet në emër të Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe në tavolinën negociuese. Kjo do të përfundojë me qeverinë që drejtoj unë. Qeveria dhe unë si kryeministër kemi mandatin kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore, si dhe përgjegjësinë e plotë dhe ekskluzive për të marrë përsipër, udhëheqjen e këtij procesi dhe përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik”, shkruan ndër të tjera Kurti.
Teksa ai shton se presim me padurim të fillojmë punën me ju, diplomatët dhe emisarët tuaj, si dhe partnerët tanë në Bashkimin Europian, për ta çuar përpara këtë proces ./Indeksonline