Teatri i Gjilanit paralajmëron shfaqjen “Sfinga e gjallë”

E enjte, 5 mars, ora 20:00 në Teatrin e
Gjilanit vjen shfaqja “Sfinga e gjallë” nga Rexhep Qosja, regjia: Blerta
Neziraj. Një super shfaqje bashkë me super aktorë si Fatmis Spahiu, Adrian
Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati e
Dukagjin Podrimaj.
E shkruar në vitet e 70-ta, si një dramë e fuqishme që flet për gjakmarrjen e
vëllavrasjet absurde të asaj kohe, “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën
e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa
prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë.
Pas përfundimit të luftës disa nga ‘lordët e
luftës’ në Kosovë qenë përfshi në një valë të vrasjeve të kundërshtarëve
politik – kryesisht zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovë – të cilët
paraprakisht etiketoheshin si ‘ ‘bashkëpunëtor të armikut’ e ‘sabotues të
luftës çlirimtare’’.
Rreth 20 vite nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje nuk është zbardhur.
Nuk ka pasur vullnet politik për një gjë të tillë nga asnjëra palë, madje as
nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, për më tepër, këto vrasje i ka
marketizuar dhe përdorur për qëllimet e veta politike. Edhe komemoracioni
publik për të vrarët është shëndërruar në një ritual komik. Të gjithë – madje
edhe vet vrasësit – ‘vajtojnë’, të gjithë ‘thërrasin për drejtësi’, të gjith i
duan “vrasësit prapa grilave” dhe të gjithë ua njohin “meritat të vrarëve”.
Në sfondin e këtillë të këtij makabriteti politik e shoqëror, viktimat e vetme megjithatë kanë ngelur të vrarit dhe ndoshta familjet e ngushta të tyre.
Kjo shfaqje u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës. /Indeksonline/