Coronavirusi kap ekonominë: Fasoneria s’ka shitje, në Itali, dhe lëndë të parë nga Kina

Edhe pse Shqipëria nuk ka regjistruar asnjë rast të konfirmuar me coronavirusin, ekonomia shqiptare ka filluar t’i ndiejë pasojat e para bllokuese të epidemisë.
Bizneset e rrobaqepësisë thonë se mbyllja e fabrikave në Kinë, ka ndërprerë furnizimin e industrisë me lëndë të parë
Por vështirësia për të siguruar lëndën e parë është vetëm një nga pasojat. Goditja më e madhe për industrinë shqiptare të fasonerisë është bllokimi i shitjeve në Itali, tregut kryesor ku shkojnë produktet shqiptare.
Veshmbathjet janë grupi më i madh i eksporteve në Shqipëri. Paralelisht kjo industri është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Situata e krijuar nga shpërthimi i epidemisë së coronavirusit, ka filluar sakaq të dëmtojë ekonominë shqiptare. Por nëse epidemia do të zgjasë më shumë, atëherë efektet në ekonomi do të jenë edhe më të rënda, duke u shtrirë jo vetëm në industrinë përpunuese, por edhe atë të turizmit, dy burimet kryesore të valutës që hyn në vend.