75 Mall Live Search
12:03 / E Premte, 06 Mars 2020 / indeksADMonline

Aktakuzë ndaj ish-policit serb për krime gjatë luftës, në Kosovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurit Z.V. për vepër penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile dhe dhunimit gjatë luftës në Kosovë”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Z.V. si pjesëtar i forcave policore të njësitit rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të së Drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e Komunës së Vushtrrisë, ka marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual, si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.

Me këto veprime i pandehuri Z.V. në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë, ka kryer vepër penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminiuar si “Krimet kundër njerëzimit” nga neni 143 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4, 1.6, dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.