Kërkohet përfshirje më e madhe e grave dhe vajzave, në vendimmarrje

OJQ Forumi për Udhëheqje dhe Diplomaci, në kuadër të projektit: “Akademia e udhëheqjes – fuqizimi i grave dhe vajzave për proceset e vendimmarrjes”, ka mbajtur debat publik me temë: “Si e adreson Qeveria lokale barazinë gjinore në pozicionet vendimmarrëse dhe roli i shoqërisë civile në kontrollet e vendimeve dhe ekuilibrat ku kanë diskutuar për rolin e grave në pozitat vendimmarrëse”.
Në këtë takim u tha se edhe pse gratë janë më shumë të përfshira në pozita të ndryshme, krahasuar me vitet të kaluara, duhet të ketë një përfshirje edhe më të madhe të grave, sepse ka akoma shumë gra dhe vajza të zonjat që janë të diplomuara, mirëpo fatkeqësisht janë të papunë.
Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danjela Barishiq, tha se është e lumtur që në këtë takim ka të pranishëm edhe meshkuj për të diskutuar për të drejtat e grave.
Barishiqi e krahasoi përfshirjen e grave në institucionet vendimmarrëse në Kroaci, duke thënë së gratë gëzojnë mjaft shumë pozita, por edhe mund të jetë mashtruese, sepse në Qeveri vetëm 30% është e përfaqësuar nga femrat.
“Për pesë vjetët e fundit ne patëm femër presidenten e Republikës, para saj, ne kishim një femër kryeministre dhe tani kolegja jonë, ish- ministrja e Jashtme, zonja Marija Pejçinoviq Buriq, është sekretare e përgjithshme e Këshillit të Evropës. Kjo tingëllon shumë mirë, sepse ne i kishim ose i kemi gratë në pozita të larta, por kjo mund të jetë edhe mashtrim, sepse nëse ne shikojmë në Qeveri janë më pak se 30% femra. Vetëm në gjashtë shtete, gratë kanë qasje të plotë në gjithçka ose do të thosha ato janë plotësisht të barabarta me meshkujt, padyshim është Belgjika, Danimarka, Franca, Letonia, Luksemburgu dhe Suedia, ne fatkeqësisht nuk jemi aty, ne si Kroaci”, tha Barishiqi.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se përfaqësimi i femrave në pozitat vendimmarrëse është më i madh se vitet e kaluara, ndërsa si shembull unikat përmendi familjen Jashari që u bë shembull i mbrojtjes së familjes në përpjekje për liri.
“Po jetojmë në një botë krejt tjetër shumë më të vogël në kuptimin global shumë më dinamike dhe natyrisht që vajzat dhe gratë në Kosovë në përpjekjet e tyre nuk janë nda prej burrave dhe këto ditë që po i kalon Jubileu i 22-të të tragjedisë së familjes Jashari si kryengritje popullore mandej në Kosovë është një shembull i cili tregon që në parimin e mbrojtjes së familjes burrat, gratë, fatkeqësisht edhe fëmijët u bën shembull unikat në botë për përpjekjet e tyre për të jetuar të lirë “me nder dhe sakrificë”, u shpreh Haziri.
Ai tha se përfshirja e grave në politikë dhe në punët në përgjithësi është rritur shumë, duke e përmendur Vjosën si kryeparlamentare dhe përfshirjen e 5 grave në ministri, ndërsa edhe në Komunën e Gjilanit ka një numër të madh të grave në pozitat udhëheqëse, ndërsa tha se çdo kund ku udhëheqin femrat zbatimi i ligjit është më i sigurt.
“Por dallimi më i madh është prej vitesh më parë është tejkalua kuota në zgjedhjet për parlament ne e kemi edhe një grua si kryeparlamentare dhe në zgjedhjë votuesit kanë dhënë një përparësi që femrat të jenë më të përfaqësuara edhe në Kuvend të Republikës së Kosovës. Në Gjilan ne po ashtu e kemi edhe kryesuesen e Kuvendit është në mandatin e tretë, komandanten e policisë e kemi femër dhe në përfaqësim arsimor dhe shëndetësor në mënyrë që të rrisim nivelin e përfaqësimit të grave në komunën tonë. Aty ku kanë udhëhequr femrat jo vetëm që organizimi dhe menaxhimi ka qenë më i mirë, por edhe zbatimi i ligjit ka qenë më i sigurt”, tha Haziri.
Njomza Emini, drejtoreshë e OJQ-së Forumi për Udhëheqje dhe Diplomaci tha se pavarësisht udhëheqjes së grave në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri nuk duhet të jenë të kënaqura pasi që në Administratën Publike dhe misionet e diplomacisë duhet të ketë sa më shumë përfaqësim të grave.
Emini: në Administratën Publike dhe në misionet diplomatike duhet të përfaqësohen vajzat dhe gratë që kanë vlera.
“Pavarësisht në Qeverinë e Kosovës që është më ndryshe dhe në Kuvendin e Kosovës nuk duhet të jemi të kënaqura, sepse në Administratën Publike dhe në misionet diplomatike duhet të përfaqësohen vajzat dhe gratë që kanë vlera, jo vetëm se duhet të jetë dhuratë, sepse asnjëra nga ju nuk e keni pasur dhuratë që do t’i përfundoni studimet, por duhet që ta meritojmë dhe t’i japim hapësirë”, shtoi Emini.
Ky projekt është mbështetur nga Zyra Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Kosovë GIZ.