75 Mall Live Search
12:43 / E Diele, 08 Mars 2020 / indeksADMonline

Institucionet janë më të fuqishme kur ka përfaqësim adekuat të grave

Me rastin e shënimit të 8 marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur konferencë me temë “Fuqizimi i gruas në institucione dhe roli i saj në zhvillimin e shtetit”, ku u kërkua mbështetja dhe fuqizimi më i madh i grave, pasi me përfaqësimin adekuat të tyre, institucionet do të jenë më të fuqishme.

Në mesin e shumë grave të dy institucioneve të sigurisë ishte dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se nuk ka profesion në të cilat gratë nuk mund të shkëlqejnë.

“Nuk ka profesion në të cilin gratë nuk mundet të shkëlqejnë, ju e dëshmoni atë në fushën e sigurisë, vajzat tjera, si Majlinda, Distria e dëshmojnë në fushën e sportit dhe në shkenca të tjera në të cilat për një kohë të gjatë kanë pasur sterotipe. Por çdo ditë e më shumë gratë po munden dhe shkëlqejnë”, tha ajo.

Por krahas kësaj, kryeparlamentarja Osmani tha se duhet ende punë për fuqizimin e grave.

Sipas saj, përfaqësimi në institucione aktualisht është më mirë, por jo i mjaftueshëm.

Për këtë, ajo kërkoi edhe forcim të mekanizmave për të mbrojtur nga rastet e dhunës në familje.

“Një ndër sfidat kryesore që duhet të marrim me ju është që të ndërtojmë mekanizma për të mbrojtur gratë nga rastet e dhunës në familje. Një nga letrat e para që kam marrë, me të marrë detyrën është që të kemi një linjë buxhetore për ndihmë dhe strehimore.. ne duhet të sigurohemi që rolin e gruas që e ka sot në shoqëri të bëhet një rol që jo vetëm të bëhet në aspektin e pamjes, po zëri i saj të jetë zë determinues në vendimmarrje”, tha ajo.

Nënkolonelja në FSK, Remzie Zeqiraj tha se angazhimi i grave në FSK, fillet i ka që nga lufta e fundit në Kosovë, ku i kanë thyer paragjykimet e kohës. Derisa theksoi se me mbështetjen e institucioneve, kanë arritur që tash të përfaqësohen denjësisht në pozita, por kërkoi mbështetje të vazhdueshme.

“Rrugëtimi për gratë ushtarake në Kosovë është i njëjti me ngritjen e Ushtrisë së Kosovës që nga ditën e para edhe më sot. Qeveria e vendit, FSK, NATO kanë investuar shumë mund, në ngritjen dhe zhvillimin për secilin pjesëtar e në veçanti për gratë ushtarake…. e drejta për të pasur mundësitë barabarta për burra dhe gra e ka bazën në Kushtetutën e Kosovës si dokumenti më i lartë juridik. Duhet çmuar dhe vlerësuar që ushtaraket tona kanë pasur mbështetjen e tyre në familjet e tyre. Përkrahja e femrave ushtarake është e nevojshme më çdo kohë….Numri i përgjithshëm i femrave është 299 me përqindje 10.80 përqind. Kemi kaluar kuotën prej 10 përqind. Me këtë numër ne kemi treguar që jemi në hap me shumë vende të rajonit, por edhe vende të NATO-s”, tha ajo.

Nënkolonelja tjetër por në Policinë e Kosovës, Zylfije Krasniqi tha se me përfaqësimin adekuat të grave, të gjitha institucionet do të jenë më të fuqishme.

“Tani rekrutimi i femrave në Polici është bërë gjë e zakonshme. Policia tani ka 1555 femra ose 12.7 përqind. Ato punësojnë në sektorë të ndryshme. Kosova si shtet është liderë në përfaqësimin e femrave në gjitha strukturat e saj. Femrat police përveç që punojnë në shumë sektorë ato mbajnë edhe pozita udhëheqëse”, tha ajo.

Mbështetje për gratë kërkoi edhe përfaqësuesja e ambasadës amerikane në Prishtinë, Deb MacLEan.