Kurti: Gjykatat dhe prokurorët, t’i trajtojnë me seriozitet rastet e dhunës seksuale

Kryeministri Albin Kurti ka siguruar se çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë do të jetë temë diskutimi në dialogun me Serbinë, për çka tha se prioritet i qeverisjes së tij do të jetë ngritja e padisë për gjenocid kundër Serbisë.
Ai në seancën e veçantë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas ka kërkuar nga prokurorët dhe gjyqtarët që rastet e dhunës seksuale të trajtohen me seriozitet, pasi që tani kryesit e krimeve mund të gjykohen edhe në mungesë.
“Deri sot ka pasur mungesë të qartë të angazhimit politik për ndjekjen penale të krimit dhe kriminelëve të luftës dhe kjo vonesë kaq e madhe është po ashtu një pengesë e madhe. Mungesa nuk ka qëndruar vetëm në ndjekjen penale të tyre, por për shumë vite edhe në vetë njohjen e tyre si vikti ma të luftës. Me kalimin e shumë viteve dëshmitarët vdesin dhe po ashtu edhe kriminelët duke e bërë të pamundur gjykimin e tyre dhe sjelljen para drejtësisë. Por asgjë nuk na ndalon që t’i gjykojmë ata në mungesë. Heshtja dhe mos veprimi mbron krimin dhe ekzekutuesin e krimit. Gjykatat dhe prokuroritë duhet t’i trajtojnë me seriozitetin maksimal rastet e dhunës seksuale në Kosovë. Legjislatura e kaluar e Kuvendit ka miratuar ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që lejon gjykimin në mungesë për krime lufte. Institucionet e Kosovës kanë të drejtë të nisin hetimet edhe nëse i dyshuari nuk është prezent në seancë gjatë gjykimit. Qeveria është e gatshme të plotësojë çdo kërkesë të prokurorisë për të rritur kapacitetet e nevojshme në këtë drejtim”, tha Kurti.
Ai ka përkujtuar se edhe 22 vjet pas përfundimit të luftës nuk ka asnjë një aktgjykim përfundimtar fajësues për rastet e dhunimit gjatë luftës.
I pari i Qeverisë së Kosovës tha se pjesë e dialogut me Serbinë do jetë edhe tema për dhunimet e kryera në Kosovës nga ky shtet.
Ai tha se ndër prioritetet e qeverisë është ngritja e paditës për gjenocid kundër Serbisë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Përdhunimet gjatë luftës janë nga krimet më të tmerrshme që kanë ndodhur, por ato asnjëherë nuk u trajtuan në bisedimet me Serbinë. Ne do të sigurohemi që kjo të ndryshojë, sepse nuk mund të arrijmë paqe pa pranuar të kaluarën. Kërkim-falja nga Serbia, reparacionet dhe qasja në drejtësi do të jenë pjesë e dialogut. Një ndër prioritetet e Qeverisë tonë është padia e Kosovës për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo do të jetë rrugë e gjatë, sepse dëshirojmë që të sigurohemi që të jemi të suksesshëm në këtë “proces, por ne veçse kemi filluar punën në këtë drejtim. Pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund të kemi qetësi. Krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi për to”, tha Kurti.
Kurti foli edhe për punën e Komisionit Qeveritare për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale për çka ofroi mbështetje.
“Qeveria do të trajtojë me përgjegjësi dhe seriozitet çdo kërkesë të komisionit për të kryer punën efektivisht dhe do t’i ofrojë mbështetjen e nevojshme organeve të ndjekjes për dënimin e kriminelëve. Procesi i njohjes dhe verifikimit të statusit të personave të dhunuar është një proces shumë delikat, por tejet i rëndësishëm për të ardhmen e viktimave dhe familjeve të tyre, por edhe gjithë shoqërinë. Prandaj, unë pres që çdo pen gesë për realizimin e mandatit të këtij komisioni do të evidentohet dhe adresohet te qeveria sa më parë “, u shpreh kryeministri i Kosovës.