Shqiptarët e duan bashkimin kombëtar, por s’besojnë se është i mundur

75 për qind e banorëve të Shqipërisë dhe 64 për qind e banorëve të Kosovës janë pro bashkimit kombëtar.
Banorët e të dyjave vendeve shumë pak besojnë se ky bashkim është i mundur, ku si pengesë e shohin faktorin ndërkombëtar dhe vendet fqinje.
Këto janë gjetjet e raportit të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri te Hapur dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, “Shqipëri-Kosovë: dekonstruktimi i mitit të Shqipërisë së Madhe”, që u prezantua sot në Prishtinë.
Raporti i jep përgjigje çështjeve si distanca sociale, imazhi për fqinjët, integrimi evropian, bashkëpunimi rajonal, perceptimi dhe stereotipet, qëndrimi ndaj bashkëpunimit zyrtar të dy vendeve dhe qëndrimi ndaj bashkimit kombëtar.
Sa i përket qëndrimit zyrtar të Shqipërisë karshi Kosovës, qytetarët e të dyja vendeve pajtohen se Shqipëria luan rolin e “vëllait të madh”. Ndërkaq, skenarët pà «r mundësinë e korrigjimit të kufijve janë kundërshtuar nga shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri, por gjithashtu edhe nga serbët e Kosovës.
“Nëse do të gjendeshin para një fletëvotimi në referendum 75 për qind e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 64 për qind e shqiptarëve të Kosovës do të votonin pro bashkimit kombëtar. Por, shumë pak besojnë se bashkimi kombëtar është i mundur. Faktori ndërkombëtar dhe vendet fqinje shihen si penguesit kryesor të realizimit të bashkimit kombëtar. Ata që besojnë se bashkimi kombëtar mund të ndodh besojnë se kjo do të arrihet në 5 deri në 10 vjetët e ardhshëm. Shumica e të anketuarve shqiptarë në dy vendet besojnë se Shqipëria dhe Kosova do të bëhen vende anëtare të BE-së, kurse shumica e serbëve të anketuar mendojnë se këto dy vende kurrë nuk do tà « bëhen pjesë e BE-së”, thuhet në gjetjet e raportit.
Në raport jepet përgjigje edhe për qëndrimin e qytetarëve rreth dialogut Kosovë-Serbi, ku qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë janë kundër ndryshimit të kufijve.
“Lidhur me diskutimet e muajve të fundit rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, e cila parasheh ndryshimin e kufijve shumica e të anketuarve shqiptar në të dy vendet dhe serbët në Kosovë janë kundër një marrëveshje të tillë. Shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë janë kundër ndryshimit të kufijve edhe nëse kjo do t’i jepte rrugë anëtarësimit të Kosovës në OKB apo bashkimit kombëtar”, thuhet më tej në raport.
Sipas hulumtimit, 88.7 për qind e shqiptarëve të Kosovës kanë vizituar Shqipërinë, ndërsa vetëm 31.6 për qind e qytetarëve të Shqipërisë e kanë vizituar Kosovën.
85 për qind e qytetarëve të Kosovës e dinë datën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kurse vetëm 30 për qind e qytetarëve të Shqipërisë e dinë datën e saktë të pavarësisë së Kosovës.
Për raportin ka folur drejtori i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, Luan Shllaku, i cili tha se duhet një bashkëpunim më i madh në mes të dy vendeve.
“Unë do të doja që ky projekt i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri ta shohim në një mënyrë nga 1 deri në 10, ku 1 do të jetë ajo që kemi sot, do të thotë një gjendje në të cilën kemi arritur sot, ndërsa 10 kishte me qenë cilado formë e bashkëpunimit potencial kombëtar brenda apo jashtë BE-së. Pra, i kemi dy pozicione ekstreme dhe për të shkuar nga 1 deri në 10 sigurisht që do ta them më vonë, ne duhet të punojmë shumë në të gjitha fushat, sidomos në ato fusha ku me ngritjen e nivelit të bashkëpunimit do ta përmirësonim dukshëm cilësinë e jetës së qytetarëve”, tha ai.
Drejtori i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë Andi Dobrushi, tha se raporti i jep përgjigje shumë çështjeve, e një ndër to edhe mitit për Shqipërinë e Madhe.
“Për të çmitizuar pak mitin në rajon, mitin e Shqipërisë së Madhe, të bashkimit, për të parë dhe për të qenë realist në ditët e sotme, politika bëhet gjithmonë e më e vështirë në kontekste të ndryshme. Prurja e gjetjeve të tilla që janë më të vërtetë esenciale dhe shumë interesante besoj që e pasurojnë diskutimin, sepse mendoj që bëhet një udhërrëfyes për të dy qeveritë. Ka mjaftueshëm material në këtë sondazh dhe në të gjitha studimet për t’i dhënë për politikë-bërje, për gjëra konkrete, për zbatim do të thosha, ajo që synojmë e kemi shumë më shumë është mungesa e zbatimit me gjithë vullnetin ekzistues e kemi parë që zbatimi gjithmonë ka lënë shumë për të dëshiruar”, tha ai.
Ndërkaq, Berat Thaçi nga Instituti GAP, foli për bashkëpunimin tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku tha se janë 15 marrëveshje që janë nënshkruar në mes dy vendeve dhe se nuk është shumë keq sa i përket zbatimit.
Ai tha se ka barriera tregtare që hasin eksportet e Kosovës në raport me Shqipërinë e që nuk janë adresuar në këto marrëveshje.
“Si trend i zbatimit të marrëveshjeve nuk del edhe keq, mirëpo problemi qëndron se një numër i barrierave tregtare që i hasin eksportet e Kosovës në raport me Shqipërinë nuk janë adresuar në këto marrëveshje. Deri diku janë probleme të brendshme të shtetit. Ta zëmë shpesh eksportuesit kosovarë e kanà « cekur si problem diskrecionin që kanë doganierët apo korrupsioni që duhet të ushtrohet ndaj doganierëve për të kryer punë”, tha ai.
Në raportin “Shqipëri-Kosovë: dekonstruktimi i mitit të Shqipërisë së Madhe”, janë anketuar 2.504 qytetarë – 1200 në Shqipëri dhe 1304 në Kosovë, prej tyre 300 serbë