“Asnjë rast me koronavirusin, në veri të Kosovës”

Sepcialisti i epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik në veriun e Mitrovicës, Aleksander Antonijeviq, ka thënë se në veri të Kosovës nuk ka asnjë të infektuar me koronavirusin dhe se situata është e qetë, shkruan Kosovo Online.
Ai ka thënë se janë në kontakt me të gjithë epidemiologët edhe nga Serbia dhe nga Kosova dhe se e kanë marrë situatën me seriozitet.
Antonijeviqi ka thënë se të gjitha rekomandimet duhet të ndiqen me kujdes dhe seriozitet nga qytetarët, duke qenë se është mënyra e vetme për luftimin e epidemisë.
Sipas tij, fakti që Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur koronavirusin si pandemi është një argument i mjaftueshëm për kujdes.
Tutje mjeku serb ka thënë se janë duke ndjekur udhëzimet e Institutit të Shëndetit Publik të Serbisë dhe se po bashkëpunojnë me institucione të tjera për kryerjen e analizave.
Ai ka treguar se deri tani janë testuar rreth 20 pacientë si të dyshuar për virus, por asnjë nuk ka rezultuar pozitiv.