75 Mall Live Search
14:43 / E Enjte, 12 Mars 2020 / indeksADMonline

Reagon MASHT-i, kërkon të merren masa për ndërprerjen e procesit mësimor në veri

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) po e përcjell me vëmendje zbatimin e vendimit të 11.03.2020 të Qeverisë së Kosovës për ndërprerjen e procesit mësimor-edukativ në Republikën e Kosovës për shkak të masave parandaluese rreth koronavirusit (COVID – 19).

Sipas informacioneve të pranuara deri tani, MASHT-i është njoftuar se në disa komuna të Kosovës të banuara me popullatë shumicë serbe, vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës nuk është duke u respektuar. 

MASHT-i u bën thirrje të gjitha drejtorive për arsim në këto komuna që të marrin masa të menjëhershme që ndërprerja e procesit të mësimit të zbatohet konform vendimit të Qeverisë.

MASHT-i thekson se vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës është masë dekuate parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik dhe në këtë drejtim, çdo tentativë për politizim të çështjes apo mos zbatim të këtij vendimi, i cili ka karakter obligativ, është i papranueshëm dhe në kundërshtim edhe me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, përkatësisht nenit 250.