Ismaili propozon të ngrihen tenda mobile për izolim sa më të hershëm të qytetarëve që testohen për koronavirus

Përmes një komunikate në Facebook, ish Ministri i Shëndetësisë, njëherësh anëtare i komisionit për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, ka bërë një propozim të ngrihen tenda mobile për izolim sa më herët të qytetarëve që testohen.
Më poshtë gjeni postimin e tij:
Virusi COVID-19 apo Cornavirusi tanimë ka prekur gati të gjithë Evropën. Fatmirësisht, në Kosovë ende nuk ka ndonjë rast të konfirmuar.
Kjo na ka dhënë mundësi që të përgatitemi më mirë.
Shembujt në shtetet perëndimore që po ballafaqohen me këtë pandemi tregojnë se problemi kyç i trajtimit është mbrojtja e personelit shëndetësor, menaxhimi i fluksit të madh të pacientëve si dhe adaptimi i hapsirave spitalore të sterilizuara.
Për këtë arsye, Qeveria së bashku me akteret tjerë duhet që menjëherë të krijojë hapësira të jashtme ku qytetarët që dyshojnë se janë prekur nga kjo pandemi të kenë mundësi të kontrollohen në ambiente të sterilizuara plotësisht, jashtë institucioneve shëndetësore.
Mundesi për këtë janë objektet e pashfrytezuara apo edhe tenda të ngritura enkas për këtë situatë.
Kjo do mundesonte që qytetarët që kërkojnë testim të mos enden nëpër Emergjencë apo klinika të tjera, por ata do të shkonin direkt të akomodohen në këto hapsira të triazhimit.
Përhapja e shpejtë e virusit është alarmuese, prandaj edhe izolimi në kontaktin e parë me sistemin shëndetësor është jetik si për qytetarin ashtu edhe për personelin shëndetësor.
Çdo vonesë për krijimin e kapaciteteve të reja e të izoluara e shumëfishon rrezikun për shpërndarje të virusit.
Veprimet e Qeverisë janë jetike për të krijuar masa për të mbrojtur qytetarët dhe personelin shëndetësor.
