Rasti i parë me koronavirus dyshohet të jetë që nga muaji nëntor në Kinë

Një burrë nga provinca Hubei të Kinës, mund të ketë qenë personi i parë që ka kontraktuar koronavirusin në muajin nëntor të vitit 2019, sipas një raporti të ri.
Sipas New York Post 55-vjeçari dyshohet të ketë kontraktuar sëmundjen COVID-19 më 17 nëntor.
Autoritetet kineze deri më tani kanë identifikuar të paktën 266 persona të cilët ishin infektuar vitin e kaluar, disa prej rasteve kanë të ngjarë të datojnë nga ajo kohë, pasi autoritetet shëndetësore testuan kampione të marrë nga pacientët e dyshuar.
Komuniteti mjekësor shprehet se mjekët kinezë e kuptuan se po merreshin me një sëmundje të re në fund të dhjetorit.
Nga 17 nëntori e më tej, 1-5 raste të reja raportoheshin çdo ditë në Kinë, ndërsa më 27 dhjetor mjeku nga Spitali Provincial Hubei, Zhang Jixian, konfirmoi para autoriteteve shëndetësore për një virus.
Deri atëherë, më shumë se 180 njerëz ishin infektuar, megjithëse mjekët mund të mos kishin qenë në dijeni të çdo rasti në atë kohë.
Raportohet se shkencëtarët po përpiqen të identifikojnë pacientin zero, ndërsa mund t’i ndihmojë atyre të konfirmojnë burimin e virusit. Për momentin dyshohet se infeksioni u kalua te njerëzit përmes një kafshe, ndoshta prej një lakuriqi.