75 Mall Live Search
18:05 / E Premte, 13 Mars 2020 / indeksADMonline

Filmi i vetëm që s’duhet të shihni në këtë periudhë

“Contagion” një virus i panjohur vret 26 milionë njerëz, përfshirë Gwyneth Paltrow.

Sipas Warner Bros., “Contagion” është filmi i dytë më i parë në katalogun e tyre, një rritje nga vendi i 270 në dhjetorin e kaluar. Filmi gjithashtu kërkohet në Amazon Prime Video dhe është në krye të “Top Movies” në iTunes.

Regjisori i njohur Barry Jenkins e shkarkoi së fundi dhe e pa me të dashurën e tij gjithashtu regjisore, Lulu Wang dhe tha se iu duk si dokumentar. Në rregull, “Contagion” është i ngjashëm me çfarë po ndodh tani, por a duhet ta shihni? Për mua jo. As trailerin.

“Contagion” e pati premierën në 2011-n, shkurtimisht pas pandemisë së gripit të derrit. Kasti i aktorëve ishte i shkëlqyer: Gwyneth Paltrow që vdes 15 minutat e para, Matt Damon, Jude Law, Marion Cotillard, Kate Winslet, Laurence Fishburne, Bryan Cranston dhe Demetri Martin. Asokohe, filmi nuk qe shumë popullor, por u lëvdua gjerësisht për saktësinë. Regjisori Steven Soderbergh dhe ekipi i tij bënë çmos që të kishin një skenar të saktë dhe punësuan si konsulentë një panel virologësh dhe epidemiologësh të njohur.

Gjatë filmit, pati shumë momente kur mendova me vete: “Oh Zot, kjo po ndodh tani.” Siç nënkupton emri, “Contagion” flet për një virus jashtëzakonisht ngjitës – transmetohet duke qëndruar pranë dikujt të infektuar ose në rastin e Gwyneth Paltrow, duke u argëtuar në një kasino dhe duke tradhtuar burrin (Matt Damon). Virusi në film e ka origjinën në Azi dhe ka simptoma të ngjashme me Covid-19 si puna e kollës së thatë. Personazhet në film këshillohen të marrin të njëjtat masa që na këshillohen ne sot: të qëndrojmë në shtëpi, të lajmë duart dhe të ruajmë distancën nga të tjerët. Këtë artikull po e shkruaj ditën e 11 të izolimit dhe e gjeta veten më së shumti te adoleshentja e acaruar që s’e lë i ati të takojë të dashurin.

Mbi të gjitha “Contagion” paraqet me realizëm rrezikun e panikut, paragjykimit dhe keqinformimit gjatë një pandemie sidomos përmes rrjeteve sociale dhe internetit. Jude Law luan rolin e një gazetari të lirë që njëherazi është dhe mjeshtër i teorive konspirative. (Një nga citatet e mia të preferuara në film është Elliott Gould që i bërtet personazhit të Law: “Blogjet s’janë gazeta, janë grafiti me shenja pikësimi!”) Ai akuzon shtypin dhe institucionet e shëndetit publik se fshehin të vërtetën dhe teknikisht, nuk e ka gabim. Shumica e njerëzve në film vënë të parën veten; ose duan të fitojnë para, të shpëtojnë veten ose të ruajnë reputacionin. Në fjalë të tjera, “Contagion” godet në shenjë mënyrën si funksionojnë viruset dhe sa të tmerrshëm janë njerëzit.

Edhe pse “Contagion” duket shumë i saktë, mbetet një film, një trillim dhe duhet trajtuar si i tillë. Nëse ju këshillojnë “Mos përhapni panik” dhe “Mos u bëni budallenj,” ky film do të ketë efektin e kundërt. Është ideuar për të provokuar shikuesin. Këtë punë kanë filmat. Mund të ketë një fund të lumtur dhe mund të më ketë bërë të mendoj se situata mund të ishte shumë herë më keq.