Koronavirusi në Kosovë – masa mbrojtëse gjithandej

Aktualisht në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me koronavirus, pandemi kjo e cila po përfshin gjithë botën, duke bërë që të shtohen masat e sigurisë në pikat kufitare.
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, vazhdon apelin që qytetarët për kujdes të shtuar dhe higjienë të duhur si pjesë e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Gjatë ditës së sotme, KosovaPress vizitoi qytetin e Prizrenit. Sikur edhe në qytetet tjera të vendit, edhe këtu kafenetë, restorantet, bizneset e shumë dyqane ishin të mbyllura sipas masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës pas rasteve të konfirmuara me koronavirus edhe në vendin tonë.
Rrugët e qytetit të Prizrenit ishin pothuajse të zbrazëta dhe qytetarët e pakët që mund të shiheshin ishin ata që kishin dalë për të kryer blerje të artikujve ushqimorë.
Qytetarët thonë se po zbatoj në hapat e rekomanduar nga qeveria dhe IKSHP-ja.
Për situatën e krijuar, Vanesa Braha, qytetare nga Prizreni thotë se është bërë panik, por që sipas saj duhet ruajtur qetësia dhe të mbahet niveli i higjienës.
“Familjarisht jemi duke u kujdesur me pastërtinë, me pastrues të duarve, me maska…Është bërë pak panik por besoj nëse ruhemi, atëherë nuk ka me pas problem…Kujdesuni për veten sa më shumë”, thotë Braha.
Edhe Kujtim Vorfaj thotë për Kosovapress se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbrojtje nga koronavirusi. Ai shpreson se kjo gjendje do të kalojë shumë shpejt.
“Jemi të përgatitur. Kam dal të kryej disa obligime të shtëpisë. Shpresoj sa më shpejt të kalojë ky virus…Besoj që kalon, shpresoj për krejt popullatën e Kosovës është kaluese dhe të jemi shëndosh e mirë krejt”, tha Vorfaj.
Qytetari Edis Koliqi thotë se ka mungesë të maskave në barnatoret e qytetit dhe kjo është arsyeja pse kishte dalë në rrugë pa këtë masë mbrojtëse.
“Masa më e sigurt është pastrimi, pra higjiena. Të mbajmë trupin pastër, të pastrohen duart shpesh…Maska sot nuk kishin mbetur dhe për këtë arsye jam pa maskë”, tha Koliqi.
Ka edhe prej atyre qytetarëve që shprehin drojë për mundësitë e përballimit të gjendjes me koronavirus, duke marrë parasysh se edhe vendet më të zhvilluara po kanë probleme serioze.
Blerim Saramati thotë masat e ndërmarra kundër koronavirusit janë të mira, porse do të jetë e vështirë duke pasur parasysh se ky lloj virusi ka prekur me të madhe edhe vendet me shëndetësi dukshëm më të avancuar.
“Është pak problem me marrë masa prej një armiku që nuk shihet, kështu që antibakterialët, pastërtia, higjiena personale…Qysh po shihet, ky virus edhe shtetet shumë të zhvilluara i ka gjunjëzuar, i ka frikësuar, tmerruar. Kosova nuk besoj që e ka shëndetësinë më të zhvilluar se Gjermania, Anglia apo shtetet tjera përreth, të cilat ky virus i ka gjunjëzuar”, u shpreh Saramati.
KosovaPress vizitoi edhe ekipet mjekësore të cilat janë dërguar për të kontrolluar udhëtarët në pikën kufitare në Vërmicë. Aty u tha se janë të pajisur me të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse.
Lebibe Hashani epidemiologe, thotë se në vikend nuk ka shumë udhëtarë që kalojnë në këtë pikë, përveç kamionëve me mallra.
Hashani tha për KosovaPress se kjo pikë është pajisur me të gjitha masat nevojshme si dorëza, maska dhe dezinfektues.
E pyetur se pse nuk janë vendosur në karantinë për 14 ditë, persona që kanë hyrë nga Italia përmes kësaj pike kufitare, ajo tha se vendimi i qeverisë ka qenë që ekipet mjekësore vetëm t’i anketojë dhe t’i matin temperaturat dhe asgjë më shumë.
“Nuk kemi udhëtar me numër enorm siç kanë qenë dje dhe pardje. Sot është më pak sepse në vendkalim në këtë pikë kufitare, shqiptarët e Shqipërisë nuk kalojnë te ne, edhe kosovarët sot janë në ndalim, nuk kalojnë në Shqipëri. Për këtë arsye i kemi veç kamionët me mallra…. Ne jemi punëtor të IKShPK-së, jemi të pajisur me të gjitha masat mbrojtëse, mantel, doreza dhe maska por edhe mjete dezinfektuese… Vendimi i qeverisë ka qenë që ne vetëm të anketojmë, me ia mat temperaturën e njerëzve dhe nuk kemi pasur urdhër për izolim shtëpiak. Për këtë arsye veç kemi anketuar, nga vjen, ku shkon, numri telefonit, sa veta janë, emrat dhe ke mi sugjeruar këta udhëtarë të shkojnë në QKMF nëse kanë temperaturë dhe kemi sugjeruar çdo pacient gojarisht, dy javë të rrinë në shtëpi, dy javë me mat temperaturën, mos të pranojmë mysafirë dhe mos të shkojnë askund”, tha Hashani.
Afrim Panxha shofer i kompanisë ‘Fam Gas’, prapëa kamerave, tha se nuk kanë hasur në asnjë problem në pikat kufitare dhe se i janë nënshtruar kontrolleve të zakonshme dhe atyre që po bëhen për shkak të Koronavirusit.
Ndryshe, në Kosovë deri më tani janë shënuar pesë raste me koronavirus.