Numri i të infektuarve është 9, por çfarë dihet deri më tani për koronavirusin në Kosovë?

Me të konfirmuar dy rastet e para me COVID-19, Qeveria e Kosovës ndërmori masa për parandalimin e këtij virusi.
Qytetarëve iu bë thirrje që të qëndrojnë nëpër shtëpi dhe të dalin vetëm në raste tejet të nevojshme.
U vendos që të mbyllen kafiteritë, restorantet, qendrat tregtare në mënyrë që të parandalohet grumbullimi i shumë njerëzve.
Por pavarësisht kësaj, që nga data 13 mars tash e tri ditë sa kosovarët po qëndrojnë të mbyllur në vend janë konfirmuar gjithsej nëntë raste të prekur me koronavirus, raporton Indeksonline.
Deri dje gjatë ditës ishin pesë, kurse gjatë mbrëmjes u konfirmuan edhe katër raste të tjera.
Klina, Vitia dhe Malisheva ishin tri komunat e para të prekura nga COVID-19, të cilat edhe u vendos të karantinohen, që askush të mos dalë apo të hyjë në këto komuna. Por nga rastet e djeshme, njëri ishte nga komuna e Podujevës e tre të tjerë nga Malisheva.
Qeveria e Kosovës poashtu mbrëmë mori vendim që të shpallet gjendje emergjente e shëndetit publik.
Ndryshe disa nga të infektuarit u njoftua se në Kosovë erdhën nga Italia. Por nga data 23 shkurt numri i përgjithshëm i qytetarëve që erdhën nga Itali thuhet të jetë mbi 127.
Situata e krijuar në vend solli edhe panik tek qytetarët, të cilët blenë me të madhe gjëra ushqimore e farmaceutike.
Për të mbajtur sa më larg këtë virus thuajse shumë prej autobusëve urban janë dezinfektuar, ngjashëm edhe stacionët e autobusëve, Aeroporti i Prishtinës e shumë vende të frekuentuara me doemos nga qytetarët.
Gjatë ditëve të fundit u raportua edhe për pezullimin e xhumave për besimtarët islamë,ku nga BIK u bë e ditur që përveç kësaj janë pezulluar edhe të gjitha mbledhjet si të pamet, përveç ceremonive mortore, ku duhet reduktuar numri. Ngjashëm vepruan edhe nga Kisha Katolike të cilët vendosën që të mos mbahen meshat e së dielës, në mënyrë që të qëndrohet sa më larg kësaj pandemie që ka shqetësuar gjithë botën./Indeksonline/