Portieri italian i Llapit duartroket kosovarët: Nuk kishin nevojë për ligj, u mbyllën vetë në shtëpi

Xhakomo Nava që nga janari është kthyer në italianin e vetëm në Superligën e Kosovës. Portieri i është bashkuar skuadrës së Llapit, ku ka qenë titullar në këtë pjesë të dytë të sezonit. Lojtari ka treguar për mediat italiane se si po përjeton izolimin në Kosovë dhe ka duartrokitur njerëzit aty se po zbatojnë me përpikmëri udhëzimet pa pasur nevojë që të bëhen ligje të veçanta për gjëra të tilla.
“Që para se të kishte të infektuarit e parë, kishte disa masa për parandalimin e përhapjes dhe pikërisht për këtë arsye mendoj se nuk do të përhapet si në Itali. Ndeshjet këtu i ndalën në mëngjesin e të shtunës, por duke parë se kanë marrë masa parandaluese, flitet se mund të rikthehet kampionati në pak javë.
Frikë nga italianët? Po, disa here më ka ndodhur. Kur njerëzit kuptojnë se jam italian, ngrihen në vend dhe më duhet të shpjegoj se jam në Kosovë prej shumë kohësh. Por ata e kanë kuptuar më parë se shumë të tjerë se duhet të qëndrojnë në shtëpi. Në Itali na u desh të pritnim dekretet qeveritare për ta bërë, ndërsa këtu në mënyrë spontane njerëzit u futën në karantinë”, shpjegoi ai për mediat italiane.