75 Mall Live Search
12:16 / E Mërkurë, 18 Mars 2020 / indeksADMonline

Ronaldinho tentoi të arratiset nga burgu?

Rrezikon të rendohet së tepërmi pozita e futblistit brazilian Ronaldinho, i arrestuar në Paraguai, pasi kaloi kufijtë e këtij vendi me dokumenta falso.

Hetimi i cili ka hyrë në një tjetër fazë, me prokurorinë e Asuncionit, e cila këmbëngul se vizita e Ronaldinhos ka qenë një skemë e fshehur për riciklim parash, që përfshin biznesmenin Dalia Lopez, personin që kishte ftuar ish-futbollistin në Paraguai.

Lidhur nga faktet që kanë, hetuesit kanë nisur të hetojnë dosje, mesazhe dhe “e mail”-e në celularët e Dinhos dhe vëllait të tij menaxher, Roberto de Asis.

Sipas prokurorit të çështjes, Osmar Legal, ajo që po hetohet me detaje është lidhja që ekziston mes biznesmenit që kërkoi vizitën dhe që e prit Ronaldinjon edhe në aeroportin e Asuncionit, përpara se të arrestohej.

“Bindja jonë kryesore është se, dokumentat falso janë përdorur për qëllime komerciale ose investime jo të ligjshme”, – shpjegon Legal, i cili nënvizon se për këtë arsye qëndrimi i Ronaldinjos në burg është mëse i nevojshëm.

Ish “Topi i Artë” u prangos më 6 mars, ndërsa tentonte që të hynte në Paraguai me një pasaportë falso.

Pavarësisht disa kërkesave nga avokati i tij, Ronaldinho ka parë që ti mohohet edhe kërkesa e arrestit të shtëpisë, pasi në orët e fundit qarkullojnë disa zëra se për ish-milanistin ishte bërë gati edhe një plan arratisjeje nga vendi.

Dhe mbi të gjitha, nëse hetimet konfirmojnë akuzën për riciklim parash, Ronaldinho rrezikon nga 7 deri në 12 vite burg.