Gani Sejdiu paralajmëron dëmet që po shkakton ndërprerja e kampionatit

Nëpërmjet video-lidhjes, UEFA dje ka zhvilluar një mbledhje emergjente me 55 Federatat anëtare, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe me përfaqësuesit e futbollit evropian në Këshillin e UEFA-s.
Federatën e Futbollit të Kosovës në këtë video-lidhje e përfaqësuan kryetari Agim Ademi dhe Sekretari gjeneral, Eroll Salihu.
Në këtë mbledhje nëpërmjet video-lidhjes, presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin ka bërë disa propozime.
Ashtu edhe siç pritej, Kampionati Evropian i paraparë të mbahet këtë vit është shtyrë për një vit dhe do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 11 korrik të vitit 2021.
Megjithatë, njëra prej pikave më të komentuara para vendimeve të djeshme nga UEFA ka qenë fati i edicionit aktual në Superligën e Kosovës.
Dje, shtëpia më e madhe e futbollit evropian ka vendosur që ligat kombëtare dhe garat evropiane për klube të mbyllen më 30 qershor 2020, kur është finalja e Ligës së Kampionëve.
Për ligat e ranguara nga pozicioni 48 deri 55, ku bën pjesë edhe Kosova, afat për të përfunduar ligën është 21 qershori.
Njohësit e futbollit të Kosovës në një bisedë me Zëri.info kanë thënë se vendimi i djeshëm i UEFA-s do të lë ndikimet e veta te klubet kosovare.
Trajneri Gani Sejdiu, analisti dhe ish-futbollisti i mirënjohur, Erdin Hashani si dhe futbollisti Ard Limani kanë insistuar se skuadrat kosovare ishin përgatitur ta mbyllnin edicionin aktual me kohë.
Trajneri i mirënjohur kosovar, i cili aktualisht drejton Drenicën, Gani Sejdiu ka thënë se për shkak të kësaj pandemie, forma fizike dhe psikologjike do të jetë në nivel të ultë te futbollistët.
“Fillimisht duhet thënë se kjo do të ndikojë në rrjedhën normale të kampionatit sepse skuadrat janë në pauza të imponuara nga situata e pandemisë dhe forma fizike, por edhe psikologjike do të bjerë në nivel shumë të ultë, pavarësisht se lojtarët mundohen të implementojnë programe të caktuara individuale”, ka thënë fillimisht Gani Sejdiu për Zëri.
Tutje, ai shton se do të jetë problem sepse nuk dihet se kur do të fillojë kampionati aktual.
“Do të jetë problem pasi janë edhe 11 xhiro dhe tri ndeshje të Kupës, e që duhet të përfundojnë deri më 21 qershor. Problemi tjetër është se nuk dihet kur do të fillojë kampionati, por vetëm se kur do të përfundojë”.
“Federata duhet të llogarisë që klubeve t’u jap mundësinë që të zhvillojnë një mini-fazë përgatitore për ta rritur nivelin fizik, por edhe psikologjik të lojtarëve pasi është e pamundur të fillojë edicioni pa këtë fazë”, vlerësoi trajneri mitrovicas.