75 Mall Live Search
18:46 / E Martë, 24 Mars 2020 / indeksADMonline

Zgjatet orari i punës për policinë, nga nesër punojnë nga 12 orë

61 është numri i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë, që nga data 13 mars e deri më sot.

Si shkak i kësaj, Qeveria e Kosovës ndërmori një sërë masash të njëpasnjëshme në mënyrë që të parandalojë përhapjen e këtij virusi.

Ndër vendimet që mori së fundi është edhe vendosja e një orari për qarkullim të veturave dhe qytetarëve.

Por pas këtij vendimi, ndryshime pati edhe në funksionimin e Policisë së Kosovës.

Indeksonline merr vesh se që nga dita e nesërme, pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të punojnë jo nga tetë orë, por nga 12 orë, vetëm e vetëm që të jenë në shërbim të plotë të qytetarëve.

Pra orar i punës do të funksionojë kësisoj nga ora 08:00 deri në ora 20:00 dhe nga ora 20:00 deri në orën 08:00, për të pasuar pas me koordinimet e tjera sa i përket ndërrimeve.

Që nga orët e para të mëngjesit, Policia e Kosovës sot veçse filloi të jetë prezentë thuajse në çdo rrugë e lagje në mënyrë që të kontrollojë mbarëvajtjen e këtij vendimi si dhe të informojë qytetarët nga afër se duhet respektuar në mënyrë që të ndihmojmë njëri-tjetrin në luftimin e këtij virusi COVID-19.

Përpos mjekëve, infermierëve, policët janë ata që po qëndrojnë më së afërmi në përballjen e shtetit me këtë pandemi e cila ka shqetësuar mbarë botën.

Se deri kur do të zgjasë e gjithë kjo situatë e krijuar nga ky virus nuk dihet, por sipas zyrtarëve shtetërore është thënë se dy javët e ardhshme do të jenë edhe më të rrezikshme sa i përket mundësisë së rritjes së numrit të infektuarve me koronavirus, duke uruar që e gjithë kjo të përfundojë mirë dhe të mos ketë viktima./Indeksonline/