Konjufca: Presidenti po sillet sikur ai me qenë parti politike dhe mi fitu zgjedhjet

Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca duke komentuar takimin e sotëm të Kurtit me presidentin Thaçi tha se kjo ka qenë në kuadër të detyrave si kryeministër, por si kryetar i VV-së do ta refuzonte.
“S’është e hijshme me fol për partitë politike e njerëz të përveçëm. Për nga natyra është figurë që duhet me lehtësu në kohë krizash, por ai jo vetëm që ka jetu nga krizat, por e sheh një rol vendimtar kur ka tension, ai mezi ka prit që koalicioni mos me funksionu.
Kryeminstri e ka spjegu që për çdo gjë që janë takime në vizita zyrtare, s’është problem takimi me presidentin.
Jo në nivel partiak, në këtë nivel kur ai ia ka drejtu si kryetar i VV-së e ka refuzu. Kryeministri Kurti ka thënë që kur është puna për Kosovën, do të jetë i gatshëm të shkojë, jo në mënyrë të paarsyeshme, për tema të ndara. Kjo për të cilën shkuam, ishte që t’ia bëjmë me dije se për qeverinë në detyrë është i pranueshëm pozicioni, për menaxhim sa më të mirë të pandemisë”, ka thënë Konjufca në DPT të Fidani, përcjellë Indeksonline.
Derisa ai ka thënë se pasi të sigurohemi që ia kemi dalë me luftën kundër pandemisë, mendon që duhet të shkojmë në zgjedhje.
“Presidenti s’mund të krijojë një qeveri siç do ai, s’e lejon Kushtetuta, tash të gjitha subjektet politike e kanë pranu këtë sistem politik dhe Kushtetutë.
Presidenti është i kufizuar për shkak të veprimeve të tij të mëparshme.
Thaçi u kurthu në vendimet e veta. Ai e ka ushtru këtë kompetencë në këtë mënyrë, jo që ia ka inati VV-së, po se këshilltarët s’i ka që janë të dobët profesionalisht sa mos me dit këtë punë si është.
Presidenti po sillet sikur ai me qenë parti politike dhe mi fitu zgjedhjet. Po menon që i ka fitu 40 për qind zgjedhje dhe don ai me ba qeverinë.
Së pari s’mundet ai me thënë se VV provoi me ba qeverinë dhe nuk mujti. Ky është gabim i madh kushtetues. VV e ka ba qeverinë ajo është në detyrë, por u rrëzu me mocion të mosbesimit, pasi që partneri që ka dalë në vendin e dytë e ka votu atë.
Situata kthehet në pikën 0 në kuptimin e presidentit që duhet t’i drejtohet partisë fituese.
Presidenti s’mundet me vepru hava, por sipas kushtetutës.
Ai as që duhet me ba llaf se çfarë qeverie po don me kriju ai. Asnjë fjalë e vlefshme s’i takon, është shkelje e rëndë.
Partia fituese provon me ba qeverinë, ajo thotë jo meqë s’mund t’i kthehemi LDK-së sepse ajo e tregoi ftyrën e vet, pas kësaj verdikti i kthehet sovranit. Sovrani na ndëshkon ose na vlerëson”.
Ndërsa këto veprime të presidentit i quan si trika të tij që don me tensionu situatën, por me etablu protagonizmin e tij, situatë të krijuar nga LDK./Indeksonline