Presidenca, Kurtit- Nuk u konsultua me presidentin për delegacionin, lista e tij mbetet dëshirë personale dhe asgjë më shumë

Zyra e presidentit të Kosovë, Hashim Thaçi, është deklaruar në lidhje me ekipin negociator të propozuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke thënë se ai nuk ka konsultuar presidentin e vendit Hashim Thaçi, si i pari në politikën e jashtme, transmeton IndeksOnline.
“Meqë dje dhe sot kishte shumë pyetje drejtuar Zyrës së Presidentit lidhur me Ekipin Negociator të proklamuar nga kryeministri i shkarkuar, Zyra për Informim e Presidentit të Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar, se kryeministri në largim nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Aty tutje theksohet se kryeministri është shkarkuar nga Kuvendi dhe është i delegjitmuar me votat e shumicës absolute, andaj nuk mund të bëjë zotime në emër të institucineve.
“Kryeministri i shkarkuar është i delegjitimuar nga votat e shumicës absolute të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës dhe nuk mund të bëjë zotime në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe as në emër të një qeverie në largim.Lista e delegacionit të propozuar nga kryeministri i shkarkuar mbetet një dëshirë personale e tij dhe asgjë më shumë”, përfundon njoftimi.
Ndryshe, kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij të sotme në Prizren, ka folur ndër tjera edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
I pyetur rreth kësaj çështjeje nga gazetarët, Kurti ka thënë se me këshilltarët politikë kanë bërë një plan për dialogun e ardhshëm me Serbinë dhe se i duhen dy ekipe krahas njëra-tjetrës.
“Ekipi i parë politik përfaqësues, i përbërë nga kryeministri, presidenti, kryeparlamentarja dhe nga një anëtar i shtatë partive politike, pra do të jetë ekip dhjetëanëtarësh. E në anë tjetër një ekip ekspertësh i fushave të ndryshme. Jam në përgatitje të formimit të një ekipi të tillë”, ka thënë Kurti./IndeksOnline/