75 Mall Live Search
17:58 / E Enjte, 09 Prill 2020 / indeksADMonline

Në vend të tifozëve, në Bjellorusi në ulëse po vendosen fanella e fotografi

Klubi bjellorus i futbollit, Dynamo Brest, ka mbushur tribunat me fotografi të tifozëve dhe me fanella, në tentim për të krijuar atmosferë më të ngrohtë në ndeshjet e skuadrës.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumica e tifozëve kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpi. Në Bjellorusi ende po lejohen shikuesit nëpër ndeshje, por ata së fundi po mungojnë në stadiume. Bjellorusia është vendi i vetëm në Evropë ku ende po luhet futbolli profesionist.

Fama e kampionatit bjellorus është rritur në javët e fundit nëpër botë. Për ndeshjet e kampionatit të Bjellorusisë mund të luhet në bastore në vende të ndryshme. Disa vende edhe po i transmetojnë ndeshjet e Dynamo Brestit dhe skuadrave tjera.

Por tifozët lokale, që për pandeminë janë shumë më të brengosur se presidenti i Bjellorusisë, nuk po shkojnë më nëpër ndeshje.

Dynamo Bresti ka gjetur një zgjidhje kreative për këtë, duke ftuar tifozët nëpër botë që të blejnë bileta virtuale.

Si kthim, fotografitë e tifozëve vendosen në maketa, në tribuna të stadiumit. Po ashtu tifozëve që blejnë biletat virtuale u dërgohen në shtëpitë e tyre revistat e ditës së ndeshjes.

Paratë që mblidhen do të dhurohen në luftën ndaj koronavirusit, raporton Reuters.

“Tifozët tanë nga e gjithë bota duket se janë të lumtur. Faleminderit për përkrahje”, ka shkruar klubi.

Të mërkurën Dynamo Bresti e priti Shakhtyor Soligorskin, ndërsa një pjesë e tribunave janë mbuluar me fytyra të tifozëve nga vende si Rusia, Britania e Madhe, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irani, me fanella të klubeve nga vende të ndryshme.

Bjellorusia ka 1486 të prekur nga koronavirusi dhe 16 të vdekur.