Haradinaj institucioneve shëndetësore dhe të sigurisë: Barra e përgjegjësive tuaja po bëhet gjithnjë e më e rëndë

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se barra e përgjegjësive të institucioneve shëndetësore dhe atyre të sigurisë po bëhet gjithnjë më e rëndë në zbatim të planit për parandalimin dhe menaxhimin e COVID-19.
Haradinaj vlerësoi lartë punën e tyre dhe falënderoi për punën e jashtëzakonshme, mjekët, infermierët, policët dhe pjesëtarët e të gjitha mekanizmave të sigurisë, transmeton Indeksonline.
Haradinaj poashtu tha se sot këta janë heronjtë e vërtetë të kohës.
Postimi i plotë:
Të nderuar pjesëtarë të institucioneve shëndetësore dhe të mekanizmave të sigurisë së vendit tonë,
Barra e përgjegjësive tuaja po bëhet gjithnjë e më e rëndë në zbatim të planit për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19, prandaj, ju lutëm pranoni konsideratat e mia të larta. Një falënderim, ashtu sikurse ndjen edhe çdo qytetar i vendit tonë, për punën dhe humanizmin e jashtëzakonshëm të cilën ju si mjekë, infermierë, policë dhe pjesetarë të të gjithë mekanizmave tona të sigurisë, po e dëshmoni në këtë kohë kritike. Sot, ju jeni heronjtë e vërtetë të kohës sonë. Bashkë, me vetëdije të lartë dhe përgjegjësi kolektive, jam i sigurt se do t’ia dalim, siç ia kemi dalur në kohëra të vështira!
RH