75 Mall Live Search
18:03 / E Martë, 14 Prill 2020 / indeksADMonline

Kina përfiton nga aeroplanmbajtëset amerikane në karantinë, afron të vetën brigjeve të Tajvanit

Në një kohë kur pandemia ka frenuar aktivitetin civil dhe ushtarak në çdo cep të planetit, Kina merr një vendim që mund të ngrejë së tepërmi nivelin e tensionit në Azi, dhe atë global Uashington-Pekin.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes të Tajvanit, aeroplanmbajtësja e parë kineze, Liaoning, që mund të mbajë deri në 24 avionë ushtarakë, të shtunën ka kaluar ngushticën e Miyakos, për t’ u drejtuar ishullit që Pekini gjykon ende si provincë rebele nga viti 1949.

Sipas Taiwanit, “Liaoning” ishte e shoqëruar edhe nga 5 anije të tjera ushtarake, në një nga lëvizjet ushtarake më të mëdha të kohëve të fundit.

Por si mund të ndodhte kjo? Taiwani jo vetëm është partner i “hekurt” i Shteteve të Bashkuara, por Uashingtoni është garant i mbrojtjes së saj nga pretendimet e Pekinit.

Por në këtë rast përgjigja amerikane u pamundësua nga koronavirusi. Në fakt, aeroplanmbajtësja USS Roosevelt që zakonisht ndodhet në ato ujëra, për shkak të rasteve të COVID-19 në bord, ku rreth 600 marinarë rezultojnë pozitivë, ndodhet në bazën e ishullit të Guam. E njëjta gjë edhe për aeroplanmbajtësen USS Reagan, e cila për më tepër ndodhet në Japoni për riparime.

Faktikisht, pandemia e ardhur nga Kina ka bërë të mundur që kinezja Liaoning të jetë e vetmja aeroplanmbajtëse aktive në Paqësorin perëndimor, dhe Pekini nuk e ka humbur rastin “e artë” për të kërcënuar sërish ishullin me kryeqytet Taipei.

Forcat amerikane mundën t’iu përgjigjeshin Pekinit vetëm ditën e djeshme, me një stërvitje të disa dhjetëra avionëve, por tashmë mesazhi kinez ( i republikës Popullore, nga momenti që edhe Taiwani e quan vetën Republika e Kinës) kishte shkuar qartë deri në Shtëpinë e Bardhë, duke tensionuar ende më shumë marrëdhëniet e acaruara nga marrëdhëniet tregtare dhe çështjes së koronavirusit.