75 Mall Live Search
23:17 / E Martë, 14 Prill 2020 / indeksADMonline

Mustafa: Ministrat tonë po e bëjnë punën e tyre, por çdo moment Kurti mund t’i lirojë nga detyra

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë që VV në radhë të parë duhet të provojë që ta bëj qeverinë dhe nëse s’mundet duhet të lëshojë rrugë.

“Ne tani e kemi vetëm pëlqimin e këshillit për koalicion me AAK, NISMA-n, AKR dhe minoritetet. Përderisa s’vjen mandati, s’do të hapim këtë çështje për kandidat për kryeministër. Kemi kuadro në LDK e ky është procesi më i lehtë që mund ta kapërcejmë”, ka thënë ai në RTV 21, transmeton Indeksonline.

Ndërsa, sa i përket ministrave në detyrë nga LDK, Mustafa tha se ata po e bëjnë punën e tyre.

“Për shkak të situatës së pandemisë dhe përkundër asaj që Kurti shkarkoi Veliun e më pas zëvëndëskryeministrin Hoti, LDK e përballoi këtë atak, u pajtuam që ministrat e tjerë të vazhdojnë të punojnë që të ndihmojnë në betejën ndaj pandemisë.

Ata po bëjnë punën e tyre dhe mbesin aty, por çdo moment Kurti mund t’i lirojë nga detyra, por s’kemi dasht m’i tërhek në mënyrë të njëanshme. Puna e tyre të jetë beteja kundër pandemisë.

Për shkarkime bordesh e emërimesh, ministrat tonë kryesisht s’kanë marrë pjesë në këto çështje, pasi ato janë më shumë politike se të kohës”, tha Mustafa.

E sa i përket masave që do të hyn në fuqi nesër, ai tha se kanë pasur edhe atyre angazhim ministrat e LDK-së.

“Mbrëmë ka pas deklarata se masat që janë shpallë nga MSH-ja janë jo kushtetuese, pas që ato po i merr ministria për tërë Republikën e Kosovës, duke shkelur kështu prapë Kushtetutën. Kam konsideru që të gjitha këto masa flasin për një sjellje arbitrare të qeverisë, pasi s’mund as Vitia e as Qeveria se cilat janë dënimet që do të marrin qytetarët”./Indeksonline