75 Mall Live Search
16:53 / E Enjte, 16 Prill 2020 / indeksADMonline

Kthehet në detyrë komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, Alban Ramushi

Është kthyer në pozitën e komandantit të Stacionit Policor në Gjilan, majori Alban Ramushi, i cili ishte suspenduar më 19 shkurt 2019 pas tragjedisë që e tronditi vendin, kur policja Valdete Bllaca, kishte vrarë katër anëtarët e familjes e më pas edhe vetën.

Pos majorit Ramushi, në punë janë kthyer edhe Naser Rrahmani, zëvendëskomandant i Stacionit, Negovan Mihajlovic, shef i Operativës dhe Xhavit Azizi, staf civil.

Ata janë kthyer në punë me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, pasi Prokuroria e Shtetit dhe Inspektoriati Policor i Kosovës kanë konkluduar se nuk ka elemente të veprës së keqpërdorimit të pozitës zyrtare, me të cilën ngarkoheshin.

Gjatë ditës, komandanti Alban Ramushi ka qenë i pranishëm në takimin e Qendrës Operative Emergjente të Gjilanit, e cila tash e një muaj po funksionon bashkë me të gjitha institucionet lokale dhe rajonale kundër përhapjes së virusit COVID-19, shkruan mediafokus.info.

Ndryshe, pozitën e komandantit të Stacionit Policor në Gjilan e ka ushtruar majori Agim Lipovica, të cilën të enjten ia ka dorëzuar majorit Alban Ramushi.