Sot kthehen 120 kosovarë nga Turqia, ministri i Infrastrukturës tregon pse ky fluturim është i veçantë!

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit Lumir Abdixhiku bëri të ditur se sot pritet të kthehen 120 kosovarë nga Turqia.
Abdixhiku tha se kthimi i tyre bëhet në ora 17:00, ndërsa të njëtit do të drejtohen menjëherë për në Qendrën Studentore, për t’u futur në karantinë.
Abdixhiku tha se fluturimi i sotëm nga Turqia është i rëndësisë së veçantë, pasi përfshiu një bashkëpunim më të ngushtë me autoritetet turke.
“Dje me datë 20 prill kemi realizuar nga fluturim nga Zvicra ku janë kthyer 106 qytetarë tanë, pjesa më e madhe e tyre ishin raste me përkujdesje të shtuar shëndetësore. Sot në ora 17:00 do të organizojmë kthimin e 120 qytetarëve tanë nga Turqia, pjesa më e madhe e tyre me probleme të theksuar shëndetësore dhe ishin për trajtim shumica prej tyre dhe ishin të ngujuar gjatë kohës pandemike.Ky fluturim është i veçantë pasi ka përfshirë një bashkëpunim më të ngushtë me autoritetet turke sepse si rezultat i anulimit të fluturimeve në hapësirën turke është dashur të organizohet një fluturim i veçantë. Përveç këtij fluturimi gjatë kësaj jave do organizojmë tri kthime të tjera, nga Gjermani rreth 50 persona, studentët e ngujuar në Poloni e Çeki dhe një punëtorë të ngujuar në Liberi. Organizmi merr vëmendje të njëjtë, qoftë një apo më tepër”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se kthimi i tyre varet ekskluzivisht nga numri i vendeve në Qendrën e Studentëve.
“Kam kërkuar që të shtohen këto vende, por marrë parasysh nga rekomandimet e MSH ky numër duhet të jetë i kontrolluar dhe për shkak të menaxhimit të mirë duhet pasur kujdes dhe secili i kthyer nënkupton se duhet t’i nënshtrohet testeve”, shtoi Abdixhiku.