Hoxhaj: Kurti shfaqi tendencë absolutiste të menaxhimit të Qeverisë

Sipas deputetit të PDK-së, Enver Hoxhaj, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka shfaqur tendencë absolutiste të menaxhimit të Qeverisë.
Në Deskun e Kohës, Hoxhaj ka folur për rrëzimin e Qeverisë duke thënë se “ky veprim ka qenë hap i duhur” e se prishja e qeverisë “erdhi nga vetë ata që ishin në pushtet”. Hoxhaj ka thënë se nëse dy parti në kohë pandemie, krizën shëndetësore e kthyen në krizë politike “ne s’mund të kemi pritje se ato do të menaxhojnë vendin gjatë pandemisë”.
“Vlerësimi im, në pikëpamjen edhe partiake edhe personale pse erdhi te prishja e qeverisë është nga mënyra si negociuan, prej mënyrës si krijuan kabinet pa program politik e prej mosbesimit të thellë dhe prej tendencës goxha absolutiste të kryeministrit për të menaxhuar qeverinë siç menaxhon partinë politike. Kjo çoi te prishja e Qeverisë. Në Qeveri mund të kesh pikëpamje të ndryshme por duhet të harmonizohen. Në demokraci udhëheq edhe partia e parë, edhe e dytë, edhe e tretë, është sistem kompleks”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas Hoxhajt, tendencë absolutiste ka qenë edhe “mënyra e shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu”.
Megjithatë, ai ka thënë se ky ka qenë vetëm pretekst për rrëzimin e Qeverisë, por ka shtuar se “Kurti ka qenë i papranueshëm edhe për LDK-në, por edhe për partnerët e Kosovës”.
Tutje ai ka kritikuar qasjen e Kurtit me deklaratat për SHBA-në dhe ambasadorin Richard Grenell.
“Kur ka thënë një kryeministër i Kosovës se si për shembull shpërtheu lajmi në The Guardian nuk është mirë për vendin, se kinse Amerika ka ndërhyrë në Kosovë, ka bërë puç apo çfarëdo fjale ka përdorur ai. Jemi në hartën e botës për shkak të njohjes amerikane e evropiane. Nëse ne bëjmë hartë këtu, pjesa e botës demokratike e liberale që beson në këto vlera e ka njohur Kosovën”, ka shtuar Hoxhaj.
Ai ka thënë se deklarata e fundit se Grenelli ishte përfshire në rrëzim të qeverisë “është më shumë se skandal”.