75 Mall Live Search
21:44 / E Enjte, 23 Prill 2020 / indeksADMonline

Intervistë me gazetarin dhe poetin shqiptar në Itali

-Intervistë me gazetarin dhe poetin Ndue Lazri-

Ndue Lazri është një gazetar shqiptar që, prej 24 vitesh, punon e jeton në Bolonjë. Gazetar me një karrierë mbi 40-vjeçare në fushën e gazetarisë, gjatë së cilës ka publikuar mbi 5500 shkrime të gjinive të ndryshme publicistike në organet e shtypit shqiptar e të huaj, skenarist filmash dokumentarë dhe poet. E takova në promovimin e librit të tij të ri poetik me titull “Ankesa e mjellmës”, në Bolonjë, në një aktivitet të bukur e me pjesëmarrje të gjerë të organizuar në Trattoria “Soverini”. Këtu më lindi edhe idea e kësaj interviste.

Pyetje:-Si është lidhja midis Ndues dhe poezisë ndër vite?

Përgjigje:- Unë e konsideroj veten më shumë lexues i poezisë se sa shkrues i saj. Poezia është muzika e shpirtit, të cilën poetët e mëdhenj dhe të vërtetë dijnë ta përçojnë bukur tek lexuesi, duke ndezur atmosferën shpirtërore të tyre. Kam lexuar gjatë gjithë jetës poezi, qoftë të autorëve shqiptarë, ashtu edhe të huaj. Mendoj se poetët e Rilindjes Kombëtare shtruan atë shtrat të begatë që solli poezinë moderne shqiptare. Mjeda, Migjeni, Fishta, Naimi, Çajupi e shumë të tjerë do ia kalonin stafetën brezave të tjerë të poezisë shqipe, që e kanë pasuruar atë në vite. Lasgush Poradeci mbetet një diamant i poezisë shqiptare. Pastaj vijnë Ismail Kadare, Dritëro Agolli,Fatos Arapi, Ali Asllani, Agim Shehu,Ndoc Gjetja, Gjokë Beci,Moikom Zeqo,Xhevahir Spahiu, Frederik Reshpja,Koçi Petriti, Dhori Qirjazi, më të rinj si Petrit Ruka, Visar Zhiti, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Roland Gjoza, Rudolf Marku, Shpresa Kapisyzi,Skënder Buçpapaj, Niko Kacalidha e plot të tjerë. E di që lë shumë emra pa përmendur, por vargu do ishte shumë i gjatë.
Natyrisht do isha i mangët po të mos përmendja poetët shqiptarë nga Kosova si Ali Podrimja, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Sabri Hamiti, Rexhep Hoti e plot të tjerë.
Sot shkruhet shumë poezi.Në rrjetet sociale, në organe shtypi, revista virtuale etj. Botohen shumë libra, mes të cilëve ka padyshim libra të mirë, por ka edhe njëfarë inflacioni të fjalës. Ka autorë që botojnë edhe dy apo tre libra në vit. Ka prej tyre që kanë botuar 10-12 libra me poezi e kanë mbetur tek niveli i vëllimit të parë. Të vjen keq që shumë nga këta autorë nuk dinë as të shkruajnë në mënyrë korekte gjuhën shqipe. Misioni i poetit është ta pasurojë e shenjtërojë gjuhën shqipe e jo ta masakrojë. Megjithatë nuk më takon mua të bëj klasifikime, sepse përzgjedhjen e bën vetë koha, duke i situr e duke evidentuar ata që do i rezistojnë kohës. Poezia e vërtetë nuk është sasi, por cilësi. Dy libra ka Lasgushi e një Migjeni. Por janë më të mëdhenjtë e poezisë shqipe. Petrit Ruka ka 40 vjet që shkruan e nuk ka botuar më shumë se 5-6 vëllime me poezi, por është padyshim ndër më të mirët që ka sot letërsia shqipe.
Thashë më sipër që kam lexuar e lexoj edhe autorë të huaj. Pa njohjen e vlerave të poezisë botërore secili nga ne do ishte gjysmak në kulturën e tij. Për vete jam pak filorus, sepse kam qenë gjithnjë i dashuruar me shkollën ruse të poezisë, ku Esenini, Pushkini, Lermontovi mbeten korifej të paarritshëm. Por edhe autorë të tjerë nëpër botë si Gëte, Zhak Prever,Bodler, Uitman, Bërns, poetët e “mallkuar” në Francë, Ricos e Livadhitis në Greqi, e me që jemi në Itali, Dante Alighieri, Pascoli, Carducci, Alda Merini e plot të tjerë janë maja të poezisë botërore që më kanë bërë të shijoj poezinë e madhe e të vërtetë. Natyrisht, edhe këtu përmenda vetëm pak emra, sepse lista do ishte shumë e gjatë, duke hyrë edhe në poetët e sotëm modernë.
Pra, e theksoj që jam lexues i pasionuar i poezisë. Kam bërë sprovëza të shkruaj që kur isha student, pa pretenduar kurrë të hyj në sinorin e shenjtë të poetëve.

Pyetje: Libri juaj i parë me poezi titullohej ” Të duash ty…”, ndërsa i dyti ” Ankesa e mjellmës”. Çfarë i bashkon dhe çfarë i diferencon midis tyre këta libra?

Përgjigje:- Përveç autorësisë, domethënë që mbajnë emrin tim, do të thoja që i bashkon fakti që brenda të dyve është autori me mbresat e jetës së tij. Janë mbresa të përjetuara e pastaj të hedhura në mënyrë spontane. Në asnjërin rast nuk ka qenë qëllim më vete e as ide pararendëse botimi i një libri me poezi. Idea ka ardhur më vonë, pasi shikoja që në blloqet e mia ishte hedhur një numër i konsiderueshëm poezish. Atëherë i kam mbledhur në libër e i kam çuar tek botuesi im Roland Lushi në shtëpinë botuese Ada.
Të dy librat e mi i bashkon edhe fakti që në ta gjendet një temë, ajo e dashurisë, me përjashtime të rralla të ndonjë poezie me motiv shoqëror apo familjar. Madje miku im, poeti i mirënjohur Petrit Ruka, që e përmenda më lart, i quan ato “këngë dashurie”. E mua më pëlqen ky përcaktim. Nëse ato mund të konsiderohen këngë, do të thotë që unë kam arritur të jap diçka.
Çfarë i diferencon? Mendoj se janë motivet e poezive të veçanta, brenda së njëjtës temë, të dashurisë. Mendoj se libri i dytë ka një rritje cilësore në krahasim me të parin, më shumë pjekuri artistike e larmi më të madhe motivesh edhe pse brenda një tematike. Në të ka poezi për të cilat kam marrë komplimente edhe nga poetë me emër e kjo më ka dhënë kënaqësi, natyrisht, pa rënë në vetëkënaqësi. Diferenca e kohës midis dy vëllimeve është 7 vjet. Por, pavarësisht këtyre viteve, libri i dytë më prezanton më të ri shpirtërisht. E kjo është një vlerë më vete. Këtu mendoj se duhet kërkuar diferenca. A ka diferencë cilësore apo jo? Nuk më takon mua ta them. Le ta gjykojnë lexuesit.

Pyetje: Ndueja ndjehet më tepër gazetar apo poet?

Përgjigje: Pa asnjë hezitim e them që jam e ndihem gazetar. Gazetaria është profesioni im, për të cilin kam studiuar, kam punuar vite me radhë e kam publikuar në shumë e shumë organe shtypi. Jam specializuar edhe si skenarist dokumentarësh, ku kam dhënë disa filma dokumentarë, por gjithësesi mbeten publicistikë e ekranit. Do më thoni që si është e mundur që kam botuar dy libra në poezi e asnjë në publicistikë? E kam këtë ide prej vitesh e jam duke punuar, por dihet që publicistika lexohet më pak e shtypur në libra. Ndaj kam në dorë prej vitesh një libër me shënime udhëtimi nga vende të ndryshme të botës, me titull “Mëhallave të botës”, duke cituar pak në titull Ricosin e madh. Se kur do ta përfundoj, nuk e kam të përcaktuar as vetë, por nuk do vonojë aq sa ka vonuar.

Pyetje: – Janë rimat që ndjekin poetin apo poeti që ndjek rimat? Pse poezi dhe jo prozë?

Përgjigje: – Po ju përgjigjem me radhë këtyre dy pyetjeve. Mua më pëlqen të shkruaj me rimë, ndonëse rrallë kam provuar edhe me varg të lirë. Kjo zgjedhje mbase vjen nga që unë kam dashur më shumë gjithmonë autorët që kanë shkruar me rimë, për muzikalitetin e vargut. Nuk më pëlqen të rend pas metaforave të ngatërruara e ta kthej poezinë në një rebus për lexuesin. Pa dyshim, metafora është mbretëresha e figurave poetike, por të mos harrojmë që edhe mbretëreshat kanë më shumë shkëlqim kurore kur janë të pakta. Nuk është aspak më e lehtë rima, madje është më e vështirë, sepse ka rregulla të përcaktuara të metrit e të vargut. Një mjeshtër i ditëve tona në këtë drejtim është poeti Ymer Nurka. Personalisht poezinë e preferoj me muzikalitet e me njëfarë fabule të vogël që mbetet në mendje. Shumë e konsiderojnë jashtë mode e të vjetëruar poezinë me rimë. Nuk do të isha i të njëjtit mendim. Edhe vera vjetërohet, por shijon më shumë.
Përsa i përket pyetjes së dytë. E dua prozën dhe e lexoj me ëndje. Cvajgu e Çehovi janë gjithmonë mbi komodinën time. Kam provuar të shkruaj edhe tregime e kam publikuar ndonjë si “Verë dhe trëndafila”, “Nusja e akullit”, “Kufiri” e ndonjë tjetër. Kam në dorë edhe një tregim për Norën e Kelmendit. Por që këtu e ta quash veten tregimtar apo prozator, duhet shumë e shumë rrugë.

Pyetje: – Çfarë temash do të gjejë lexuesi në librin e ri?

Përgjigje: – Thashë më sipër që në librat e mi motivi kryesor është ai i dashurisë. Mendoj se është një temë që nuk i ikën kurrë koha. Sepse, nëqoftëse bota do të qëndrojë më këmbë do të qëndrojë për hir të dashurisë,që ripërtërin jetën, e jo të luftrave, të parasë apo shpikjeve të tjera djallëzore. Na mjaftoi Coronavirus për të na treguar se sa të barabartë, sa të brishtë e sa të përkohshëm jemi në këtë botë. Ndaj, rroftë dashuria!… Në libër kam për zemër edhe një poezi kushtuar kujtimit të nënës sime, ndonjë me temën e emigracionit, e ndonjë me temë sociale.
Dua t’ju falënderoj ju dhe ata që morën pjesë në promovimin e librit tim, si dhe gjithë poetët e krijuesit artistë miq të mi kudo që janë, që brenda mundësive i ndjek e më japin kënaqësi me krijimet e tyre.
Faleminderit për intervistën.

Bisedoi: KLODETA GJINI