75 Mall Live Search
19:28 / E Martë, 28 Prill 2020 / indeksADMonline

Shqipëri/Ja si do të mbahet testi i maturës!

Ministrja e Arsimit Besa Shahini tregoi për rregullat që do të aplikohen për maturantët, në mënyrë që të mbrohen nga COVID-19. Ajo tregoi se shkollat do të hapen tre javë vetëm për maturantët, ndërsa të tjerët do të vijojnë nga shtëpia.

“Kemi vendosur të hapim shkollat për maturantët nga data 18 maj deri 5 qershor për lëndët e maturës shtetërore. Mësimi nga shtëpia do të vijojë nga klasa e parë deri në të 11 deri në fund të majit.

Hapja për maturantët do të zbatohet duke zbatuar rregullat e distancimit social. Arsyeja pse nuk i hapim të gjitha ka të bëjë me numrin e madh të nxënësve që kemi në shumë shkolla. Për shkak të tërmetit një pjesë janë dëmtuar dhe një pjesë kanë kaluar me dy turne. Prandaj vendosëm të hapim shkollat vetëm për maturantët. Nxënësit duhet që të qëndrojnë me distancë 1.5 metra mes tyre dhe që numri të mos jetë më shumë se 10-12, maksimumi 15 në klasë. Do të përdorim edhe disa shkolla 9-vjeçare afër të mesmeve” tha ajo.

Shahini njoftoi se provimet e maturës shtetërore do të mbahen mes datës 8-18 qershor 2020.

“Kjo na jep mjaftueshëm kohë për të përgatitur diplomat për maturantët që duan të studiojnë jashtë vendit. Provimet e klasës së 5 dhe të 9 do të anulohen. Klasa e 9 nuk e mban të njëjtën peshë si ato të maturës dhe nuk mund të sigurojmë kushtet për kthimin e nxënësve në shkollë. Klasat nga 1 deri në 11 deri në fund të majit dhe mësimi online për to do të mbyllet 2 javë më herët.”