Gjykata Themelore në Prishtinë po trajton me prioritet raste e dhunës në familje

Shtimi i numrit të rasteve të dhunës në familje, sidomos në rrethanat e pandemisë Covid 19, ku izolimi në shtëpi është i domosdoshëm me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit, ka qenë diskutimi në takimin e sotëm ndërmjet kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyqi dhe ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Kryetarja Bytyqi konfirmoi rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje dhe theksoi se përkundër situatës në të cilën po kalon vendi në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë trajtuar dhe vazhdojnë që me prioritet të trajtohen të gjitha rastet.
Ministrja Haxhiu shprehu gatishmërinë e saj, që në kuadër të autorizimeve të saj si Ministre e Drejtësisë në Republikën e Kosovës do të jetë në përkrahje të sistemit të drejtësisë.
“Çelësi i zhvillimit të vendit është sistemi i drejtësisë, andaj jam e gatshme që bashkërisht me institucionet e drejtësisë të kthejmë besimin e qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë dhe ta përmbushim misionin e përbashkët, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Haxhiu.
Në takim u diskutuan edhe çështje të tjera në fushën e drejtësisë, personat e privuar nga liria, dhe tema tjera që kanë të bëjnë me sektorin e drejtësisë në përgjithësi.