E infektuara nga Mitrovica e Jugut/Agim Bahtiri jep detaje!

Në mesin e 7 rasteve të fundit të konfirmuara me COVID19 nga IKSHPK, një rast vjen nga Mitrovica e Jugut, duke u prekur edhe kjo pjesë e vendit nga koronavirusi.
E në lidhje me këtë rast, ka dhënë detaje kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Ai ka treguar se e infektuara (27 vjeçare) është punëtore në ETC dhe se gjendja e saj është e mirë, transmeton Indeksonline.
Bahtiri ka bërë të ditur se ETC është mbyllur përkohësisht dhe se punëtorët që kanë pasur kontakte me të infektuarën do të testohen.
Ky është postimi:
Qytetarë të dashur,
Edhe pas gjithë përpjekjeve që kemi bërë për marrjen e masave mbrojtëse nga koronavirusi COVID-19 dhe kujdesit të treguar për të cilin ju falënderoj përzemërsisht, sonte është konfirmuar rastin i parë pozitiv nga Mitrovica.
E infektuara është një 27 vjeçare me banim në lagjen Iliridë, e cila është punëtore e supermarketit ETC. Gjendja e saj është e mirë, ani pse po trajtohet sipas protokolleve mjekësore të parapara në ShSKUK.
Pas konsultimit me anëtarët e Shtabit Emergjent kemi marrë vendim për mbylljen e përkohëshme të ETC-së, ndërsa gjithë punëtorët e kësaj qendre tregtare dhe personat që kanë pasur kontakt me të infektuaren do të testohen IKShP-ja.
Edhe pse ky nuk është një lajm i mirë, ne nuk kemi nevojë për panik, sepse jemi komuna shembull për menaxhim të pandemisë së koronavirusit COVID-19.
Kërkesa ime për juve është e njëjtë sonte, pra t’i zbatoni me përpikëri udhëzimet e institucioneve qendrore të shëndetësisë për mbrojtje nga ky virus.