Zymberi rikonfirmon zbatimin e kontratave edhe në kohë pandemie

Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar jo pak telashe te klubet sportive në vend. Shumë prej klubesh kanë kërkuar ndihmë institucionale dhe i kanë ulur pagat, ndërkohë disa të tjera nuk i kanë ekzekutuar fare.
Por, në Klubin Futbollistik “Drita” situata është pak më ndryshe. Klubi ‘bardhekaltër’ ka kryer me kohë edhe pagesat për muajin prill, ndërkohë që drejtuesit e këtij klubi janë zotuar që do t’i rrespektojnë kontratat edhe në kohë pandemie.
Valon Zymberi, zëvendës-drejtor gjeneral në klubin ‘bardhekaltër’ ka qetësuar edhe njëherë futbollistët e tij dhe stafin teknik sa i përket çështjes së kontratave.
“Sigurisht që edhe në këtë kohë pandemie ne do t’i rrespektojmë gjithë kontratat që kemi. Natyrisht që është pak e vështirë, por besoj që do t’ia dalim. Gjithë lojtarët dhe stafi teknik duhet të rrijnë të qetë sepse Drita do t’i zbatojë deri në fund kontratat e nënshkruara”, deklaroi Zymberi për “RTK”.
Zymberi i cili mban edhe postin e drejtorit sportiv në klubin gjilanas deklaron se kampionati duhet të vazhdohet me rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik, ndërkohë nëse anulohet kampionati atëherë duhet të ketë një arsye të fortë.
“Me rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik mund ta vazhdojmë kampionatin, por nëse nuk do të vazhdohet do të kërkojmë arsye të konsiderueshme për ta pranuar një vendim të tillë”.