Futbolli i Kosovës në sytë e Remzi Ejupit, katër vite pas pranimit në UEFA

3 maji i vitit 2016 është datë e shënuar për sportin e Kosovës. Katër vjet më parë ëndrra jonë e madhe u bë realitet pasi Kosova përfundimisht u bë anëtarja e 55-të e UEFA-s në Kongresin e Budapestit të Hungarisë.
Anëtarësimi në familjen evropiane të futbollit e kurorëzoi sakrificën e shumë gjeneratave që e mbajtën gjallë futbollin dhe punën e guximshme e të palodhshme të drejtuesve të Federatës, donatorëve, klubeve, futbollistëve e punëtorëve sportivë.
Sikurse të gjithë shqiptarët edhe njëri ndër donatorët më jetëgjatë në futbollin e Kosovës dhe kontribuesit më të mëdhenj të futbollit kosovar, Remzi Ejupi, e kujton datën e 3 majit të vitit 2016 me shumë emocione.
Presidenti i klubit të futbollit FC Prishtina në një intervistë për Zërin as kësaj radhe nuk harroi që t’i falënderojë ata që dhanë gjithçka për të ardhur te kjo datë historike.
“Gjithmonë duhet falënderuar ata që kanë kontribuar në çdo formë e që janë angazhuar për futbollin që nga vitit e 90-ta e deri në Pavarësinë e Kosovës. Të gjithë mund të konsiderohen si ushtarë të Kosovës për mënyrën e dhënies së kontributit në aspektin sportiv. Janë ata që të parët i thanë Serbisë “jo – boll ma”. Ata njerëz e shuan pasurinë e tyre, e sakrifikuan jetën e tyre për shkak të dashurisë ndaj Kosovës, sportit dhe pasionit për futbollin”, nis bisedën Remzi Ejupi.
“Selami Osmani-Bezi, Ertan Xhihiqi, Shukri Sylejmani, donatorët nga rajone të tjera të Kosovës të cilët nuk më kujtohen të gjithë për momentin, kanë dhënë aq shumë kontribut dhe e kanë bërë një punë aq të madhe që ne sot të jemi të pranuar e në rrugë të mbarë”, vlerësoi tutje njeriu i parë i FC Prishtinës.
“Mos t’i harrojmë ata që e mbajtën gjallë sportin në kohën më të vështirë”
Tutje Remzi Ejupi thotë se komuniteti sportiv assesi nuk guxon që t’i harrojë edhe kontribuesit e parë që të bëhet përfaqësuesja e Kosovës.
“Dihet mundi dhe peripecitë nëpër të cilat ka kaluar tashmë kryetari i ndjerë i FFK-së, Fadil Vokrri së bashku me sekretarin Eroll Salihu duke lobuar për Kosovën deri në momentin e pranimit apo ish-kryetarët Sabri Hashani, Rexhep Abdullahu e Agim Bytyqi.
Politika, klubet, kryetarët por edhe ndërkombëtarët kanë bërë presion të madh që ne të pranohemi. Tashmë e kemi edhe një Përfaqësuese shumë të mirë dhe merita edhe trajnerët e mëparshëm të Kosovës, Albert Bunjaku, Edmond, Rugova, Bylbyl Sokoli apo trajneri i parë Ajet Shosholli dhe të gjithë ata futbollistë që për Kosovën kanë luajtur në kushte shumë të rënda. Shumë prej tyre kanë ardhur edhe nga diaspora që ta nderojnë Kosovën. Kur i shikojë disa fotografi të reporterit Gani Kosumi emocionohem për kohën të cilën e kemi kaluar e të cilën nuk guxojmë që ta harrojmë. Shumë gjenerata kanë dhënë kontribut që nga vitet e 90-ta. Diaspora asnjëherë nuk e ka lënë anash sportin sikurse në sferat tjera. Ata kanë kontribuuar edhe më fëmijët e tyre që sot po japin kontribut për shtetin tonë në Përfaqësuesen e Kosovës. Natyrisht se në afrimin e tyre ka ndikuar edhe emri i Fadil Vokrrit”, pohoi Remzi Ejupi.
A është bërë mjaftueshëm në këto katër vite?
Afaristi i njohur kosovar ndër të tjera e vlerësoi punën e bërë në këto katër vite si të barabartë me të tjerët.
“Në këto katër vite futbolli i Kosovës akoma nuk e ka ndjerë dorën e mbështetjes së pranimit si nga FFK ashtu edhe nga UEFA dhe FIFA. Askush nuk ka besuar se deri në vitin 2016 ne nuk do të pranohemi. UEFA dhe FIFA e kanë pasur për detyrë që t’i ndihmojnë më shumë Kosovë si në infrastrukturë e gjëra të tjera. E rëndësishme është që tashmë jemi të barabartë dhe pritjet janë që të organizohemi edhe më shumë. Unë pres që të ndjehet edhe dora e shtetit pasi që dihet se sporti është ambasadori më i mirë i një vendi dhe kjo është parë edhe me rezultatet e arritura nga Kosova”, përfundoi Remzi Ejupi.