75 Mall Live Search
08:34 / E Martë, 05 Maj 2020 / indeksADMonline

Dybala: S’e kisha menduar që do të më mungonte kaq shumë futbolli

Ylli argjentinas i Juventusit, Paulo Dybala, ka thënë se ai nuk kishte menduar se do t’i mungonte futbolli aq shumë sa po i mungon tani, gjatë krizës që e ka sjellë virusi Covid-19.

Serie A ka qenë e pezulluar që nga muaji mars shkaku i përhapjes së koronavirusit, përderisa edhe të gjithë aktivitetet e tjera në botë e kanë pësuar të njëjtin fat.

Dybala kishte dalë pozitiv në testin për koronavirus muajin e kaluar – kur u bë lojtari i tretë i Juventusit i infektuar – ndërsa tani ai ka rrëfyer për përvojën e tij personale.

Pasi që qeveria italiane do t’i lejojë klubet t’u kthehen stërvitjeve të hënën, tani është shtuar besimi se sezoni i Serisë A do të rinisë dhe Dybala e shprehu përkushtimin e tij për të luajtur në ndeshjet e mbetura.

“Që ta them të vërtetën, unë kurrë s’kam menduar se do të më mungonte futbolli, por dhe stërvitjet, kaq shumë”, tha Dybala, gjatë një lidhjeje direkte në llogarinë e tij në Instagram.

“Më duket se kam nevojë të stërvitem, t’i shoh bashkëlojtarët dhe shokët dhe të paktën ta prek topin sepse stërvitjet në shtëpi s’janë të njëjta. Unë kam nevojë t’i vesh këpucët e futbollit dhe të vrapoj, ta shënoj një gol”.

“Siç them gjithmonë, kur ke pasion për diçka, ajo të bëhet dyfish më e rëndësishme. Ka kaluar një kohë e gjatë pa stërvitje. Nuk e dimë saktësisht se kur do të kthehemi. Nuk është si pushimet e zakonshme kur ti e di se do të pushosh për një kohë të caktuar”.

“Unë e di se puna ime e vetme është të pushoj dhe ta mbaj formën e mirë, por ende asgjë e madhe nuk pritet nga unë. E gjitha kjo filloi si një javë, pastaj më shumë e më shumë, kështu që unë stërvitem në shtëpi, por nuk është e njëjta”.