Policia në aksion, po kontrollon qytetarët nëse po respektojnë orarin e lëvizjes

Pas uljes së rasteve me infektim, më 4 maj në Kosovë, ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit.
E menjëherë pas lehtësimit të masave, qytetarët po dalin në numër të madh, e në disa raste po krijojnë edhe tollovi në hapësira të caktuara, duke mos mbajtur distancën fizike dhe mos përdorur mjetet mbrojtëse.
Pas kësaj situate, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje që të mbajnë distancën fizike dhe masat e dorëzat në rastet kur dalin jashtë.
IKSHPK thekson faktin se edhe pse ka numër të vogël të infektimeve dhe numri i të shëruarve po rritet, ende nuk ka kaluar rreziku nga Koronavirusi.
Andaj, IKSHPK ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim.
Si përgjigje ndaj kësaj thirrje, sot Policia e Kosovës është parë në aksion në disa lokacione të Prishtinës, duke i ndalur qytetarët dhe verifikuar ata nëse po i respektojnë masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Kurse në raportin e sotëm 24-orësh të Policisë së Kosovës është thënë se në 14 raste janë hasur 20 persona që dyshohen për veprën “mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Policia ka thënë se numri më i madh i personave të ndaluar është regjistruar në Prizren.
Kujtojmë se më 4 maj në Kosovë, ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit.
Orari i lëvizjes së qytetarëve është rritur nga një orë e gjysmë në ditë, në tri orë, ndërsa disa biznese janë rihapur.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me Koronavirus janë infektuar gjithsej 861 persona, derisa numri i të shëruarve ka arritur në 561, ndërsa me vdekjen e sotme tani janë 28 persona që kanë ndërruar jetë si pasojë e Covid-19, shkruan FaktePlus.


