Ky është numri i kosovarëve që kërkuan të kthehen deri më tash në vendlindje

Tash e dy muaj qytetarët e vendit tonë, ashtu si edhe në pjesën më të madhe të botës, po vazhdojnë të përballen me pandeminë COVID19.
Pavarësisht pse kufijtë tokësor dhe ajror janë mbyllur, me organizim të Qeverisë në detyrë të Kosovës, ka pasur riatdhesime, për ata qytetarë që kanë mbetur jashtë shtetit. E të njëjtit sipas vendimit të MSH-së është dashur t’i kryejnë disa procedura pasi që kanë mbërritur, ato të karantinimit ose vetëizolimit.
Liza Gashi, zëvendësministre në detyrë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, ka dhënë detaje për Indeksonline në lidhje me numrin e shtetasve kosovarë që kanë kërkuar të kthehen në vendlindje.
“Deri më tani kemi pranuar 2,841 kërkesa për kthim nga mbi 30 vende të ndryshme. Gjerë më tani janë kthyer në vend rreth 1,482 qytetarë. Kthimi është bërë përmes linjave tokësore dhe ajrore, gjithsej 9 fluturime të organizuara nga Institucionet e Kosovës, 1 fluturim i organizuar nga EULEX-i, 4 autobusë si dhe vetura private” , ka thënë ajo.
Sipas saj, deri më sot e Republika e Kosovës ka rreth 104 kërkesa të adresuara nga e gjithë Arabia Saudite.
“Ndërsa nga Egjipti kanë arritur 8 kërkesa të studentëve, si dhe nga Emirtatet e Bashkuara Arabe janë 66 të tilla, nga të cilat 38 janë kërkesa nga studentët”, thotë ajo.
Gashi gjithashtu ka treguar se pjesa tjetër e mbetur pritet të kthehet në ditët dhe javët në vijim.
Ndërsa për shkak se spitalet e huaja nuk japin informata për shkak të privatësisë, ajo ka thënë se nuk kanë informacione zyrtare rreth numrit të kosovarëve të prekur apo edhe viktimave nga koronaviruusi.
“Po ashtu, të gjitha rastet mortore janë trajtuar me procedurë emergjente dhe gjerë më tani MPJD ka arritur t’i kthej të gjitha rastet e tilla në Kosovë, përposë rasteve ku palët janë tërhequr vet sepse nuk kanë dashur të rrezikojnë moskthimin e tyre në vendet nga vijnë”, thotë Gashi./ /Indeksonline