Liverpooli largohet nga gara për Rashicën

Aston Villa, Brightoni, West Hami e Wolverhamptoni, por jo Liverpooli. Katër klube të Premier League-s kërkojnë Milot Rashicën, megjithatë në listë nuk është, për momentin, klubi kampion i Europës.
Ky është lajmi që vjen nga mediet britanike.
Në javët e fundit ishin shtuar zërat për një kalim të mundshëm të anësorit të “dardanëve” të klubi që aktualisht kryeson kampionatin anglez, megjithatë së fundmi raportohet nga Ishulli se “The Reds” janë tërhequr disi në garën për 23-vjeçarin.
Natyrisht që në dinamikat e merkatos nuk përjashtohet edhe një rikthim i fuqishëm i klubit nga Mersyside , megjithatë, për momentin, Liverpooli nuk dëshiron më të ndjekë pistën “Rashica”, në një kohë që vazhdojnë të ngulmojnë për shërbimet e tij Aston Vila, Brightoni, West Ham dhe Wolverhamptoni. Klauzola e largimit në kontratën e djaloshit nga Vushtria me Werder Bremenin është 35 milionë euro, por nëse Werderi nuk ia del të mbijetojë – kjo ka gjasa të ndodhë, sepse skuadra është në zonën e rrezikshme – atëherë klauzola do të reduktohej menjëherë në 15 milionë euro, një shifër më se e përballueshme për klubet e Premier League-s.
Në sezonin që do të rinisë të shtunën, Milot Rashica ka realizuar 10 gola mes kampionatit dhe kupës, duke dhuruar edhe 5 pasime vendimtare. Kjo paraqitje ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve në Europë.