Për rrënimin e objektit të Teatrit Kombëtar Shqiptar, sot paralajmërojnë protestë simbolike edhe në Prishtinë!

Sot nga ora 17:00, para Teatrit Kombëtar në Prishtinë është paralajmëruar protestë simbolike në mbështetje të protestës që po organizohet në Shqipëri, për të shprehur paknaqësinë për rrënimin e objektit të Teatrit Kombëtar Shqiptar.
Nën sloganin “MeTeatrin” pritet që kjo të jetë një protestë simbolike, shkruan Indeksonline.
Ky është paralajmërimi i plotë:
“Aksion simbolik në solidaritet #MeTeatrin
Vendi: Teatri Kombëtar, Prishtinë. Data: 17 maj 2020 – Ora: 17:00 h
Qeveria e Shqipërisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, në një akt të paprecedent, sot herët në mëngjes ka shembur godinën historike të Teatrit Kombëtar Shqiptar. Aksioni banditesk është shoqëruar me dhunë ndaj artistëve dhe aktivistëve qe po e mbronin teatrin tash e gati 3 vite. Me dhjetëra aktivistë e artistë janë arrestuar dhe dërguar në stacion policor në orët e hershme të mëngjesit, duke përfshi këtu edhe gazetarë. Në mars 2020, ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Tiranës u listua ndër shtatë objektet më të rrezikuara në Evropë nga Europa Nostra – një ndër organizatat më të mëdha për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Evropë.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrë protestë sot në Tiranë dhe me qindra qytetarë tashmë janë mbledhur në zonën rreth Teatrit.
Në shenjë solidariteti me përpjekjen e tyre gati tre vjeçare, sot në ora 17:00 do të mblidhemi para Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të shprehur indinjatën tonë me këtë arrogancë të pashoqe dhe kundërshtimin tonë ndaj këtij veprimi të Qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës.