75 Mall Live Search
17:14 / E Hënë, 18 Maj 2020 / indeksADMonline

Komisioni për Integrime Evropiane mbajti mbledhje: Fondet e BE-së s’janë garantuar ende!

Komisioni për Integrime Evropiane, i kryesuar nga Armend Zemaj, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, për të diskutuar lidhur me deklaratën e Samitit të Bashkimit Evropian – Zagreb 2020 dhe mbështetjen financiare të ofruar për Kosovën në lidhje me përballjen me pandeminë COVID-19.

Kryetari Zemaj, para anëtarëve të komisionit, shpalosi deklaratën 20 pikëshe nga ky Samit, duke potencuar kështu kërkesën e këtij Samiti për përkushtim në përmbushjen e reformave evropiane, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, qeverisjes së mirë, zhvillimit ekonomik dhe avancimit të të drejtave të personave që u përkasin pakicave.

Kryetari Zemaj tha se përfitimet nga fondet e Bashkimit Evropian për institucionet tona nuk janë të garantuara ende, sepse duhet aprovim për to dhe kjo varet direkt nga përkushtimi dhe puna e institucioneve.  Andaj, sipas tij, primare është të punohet në mbikëqyrjen e fondeve të ofruara dhe rritjen e kësaj asistence, meqë ka hapësirë financiare tek fondet që BE-ja mund të ofrojë.

Ai propozoi që si komision do të ishte mirë t’i adresohej ministrisë së linjës, përkatësisht Ministrisë së Financave dhe Transfereve, për të marrë informacion rreth linjës së parë direkte të ofruar dhe qasjes që duhet të ketë Republika e Kosovës në marrjen dhe sigurimin e 100 milionë eurove. 

Zemaj tha se është e nevojshme të punohet edhe në krijimin e projekteve të tjera për të siguruar mbështetje financiare shtesë, për menaxhim të situatës pas pandemisë me theks të veçantë tek mbështetja e zhvillimit ekonomik.

Pas një debati të gjerë, anëtarët e komisionit ndër të tjerash, vlerësuan pozitivisht mbështetjen e Bashkimit Evropian të ofruar për Kosovën për menaxhim sa më të lehtë të situatës me pandeminë dhe diskutuan tutje rreth rëndësisë së ndarjes së këtyre fondeve dhe të hyrave të tjera në mënyrë të barabartë tek të gjitha komunitetet në Kosovë.

Po ashtu, anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane vlerësuan lart edhe angazhimin e qytetarëve për luftimin e përbashkët të kësaj pandemie dhe respektimin e masave të rekomanduara nga institucionet përkatëse.

Meqenëse në deklaratën e Samitit të Zagrebit që është mbajtur më  6 maj nuk i është dhënë hapësirë integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave për Kosovën, u theksua se edhe pse rruga drejt integrimit evropian është ende e gjatë, Kosova para vetes ka një agjendë të qartë obligimesh dhe reformash të cilat duhet të ndërmerren në avancimin e agjendës evropiane.

Zemaj përmendi se në njërin prej takimeve të këtij komisioni së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, është diskutuar edhe metodologjia e re dhe është bërë rishikimi i kapaciteteve dhe infrastrukturës ligjore dhe njerëzore në përmbushjen e agjendës evropiane dhe përafrimit me të.