75 Mall Live Search
17:42 / E Hënë, 18 Maj 2020 / indeksADMonline

Nagavci: Kuvendi i Republikës së Kosovës ka nevojë për ri legjitimim dhe funksionalitet efektiv

Arbërie Nagavci nga VV, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka thënë se  Kuvendi i Republikës së Kosovës ka nevojë për ri legjitimim dhe funksionalitet efektiv.

“Kryesisa e Kuvendit, sot mbajti mledhjen e rradhës e cila zgjati më shumë se tri orë. Edhe kësaj rradhe mungoi vullneti politik dhe konsensusi për të shtyer përpara procedimin e nismave legjislative me interes për qytetarët.

Janë jetike, sidomos ndryshimi dhe tejkalimi i përkohshëm i rregullave fiskale të deficitit, nisma ligjore për masat ndaj COVID-19, si dhe ratifikimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare nga të cilat Kosova përfiton miliona euro, shumë të vlefshme në procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar ajo.

Sipas saj arsyeja se pse s’ka konsensus është politike, partitë nga frika se mos po mbesin meritat tek Qeveria në detyrë, nuk po përfillin interesin e vendit dhe të qytetarëve.


“Në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, edhe sot paraqita qëndrimin se Kryesia e Kuvendit duhet të procedojë të gjitha projektligjet dhe nismat ligjore, gjithnjë duke respektuar në përpikëri Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës për mendim nga Qeveria në detyrë.

E vërteta është se, me qëllim të bllokimit të kërkesës së Qeverisë për rritjen e kufirit të deficitit, siç parashihet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, synojnë vështirësimin e zbatimit të pakos fiskale, ndësa me bllokimin e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, rrezikojnë financimin e projekteve milionëshe në Kosovë.

Rikujtoj se Lëvizja VETËVENDOSJE! edhe gjatë kohës sa ka qenë në opozitë ka mbështetur nismat ligjore me interes për qytetarët dhe marrëveshjet ndërkombëtare që përkrahin Kosovën financiarisht. Kështu p.sh. në legjislaturën e kaluar, në ditën e shpërndarjes së Kuvendit dhe me Qeveri të dorëhequr, kemi ratifikuar marrëveshjen IPA.

Ndonëse sipas sistemin tonë kushtetues, pas votimit të mocionit të mosbesimit, Kuvendi i Republikës duhet të shpërndahet dhe të ri legjitimohet përmes zgjedhjeve të lira, partitë politike janë deklaruar kundër zgjedhjeve, por në të njejtën kohë refuzojnë të kryejnë detyrat e tyre”, shkruan Nagavci.

Në fund ajo thotë se deri në shpërndarje, Kuvendi duhet të përmbushë përgjegjësitë dhe funksionet që ka, në interes të qytetarëve, ashtu siç po bënë edhe Qeveria në detyrë./Indeksonline