13:11 / E Shtunë, 28 Nëntor 2020 / B O

A do e ndihmojë Biden “George Washington-in” e Kosovës?

Boston Herald

Njeriu që Joe Biden e ka quajtur dikur si “George Washington-in e Kosovës” tani ndodhet në një qeli paraburgimi në Hagë i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Por a do ta ndihmojë, presidenti Joe Biden, i cili ka lidhje miqësore me Kosovën?

Ai është Hashim Thaçi, 52 vjeç, presidenti pro-amerikan i Kosovës, i cili dha dorëheqjen më 5 nëntor. Ai fillimisht u dërgua në paraburgim dhe më pas në Hagë, Holandë, për të dalë para një gjykate speciale të Bashkimit Europian i akuzuar për krime lufte.

Akuza që Thaçi i ka mohuar të gjitha.

Thaçi dyshohet se ka kryer krimet, gjatë komandës luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër Serbisë në vitet 1998-2000, luftë të cilën SHBA-ja e mbështeti. Në atë kohë, ai shihej si një hero që luftonte për liri dhe ishte kundër tiranisë.

Armiqtë e tij, veçanërisht serbët, paralajmëruan se një Kosovë e shkëputur nga Serbia do të bashkohej me Shqipërinë fqinje për të formuar një Shqipëri “të madhe”. Kjo nuk ka ndodhur dhe mund të mos ndodhë tani që Thaçi, i cili ka mbështetur diçka të tillë, po përballet me akuza kaq të rënda.

UÇK u formua pasi serbi Slobodan Millosheviç u përpoq të pastronte etnikisht Kosovën nga shumica e shqiptarëve myslimanë, duke vrarë dhe duke detyruar qindra mijëra të largoheshin në Shqipërinë fqinje, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Peter Lucas, një gazetar dhe veteran politik është një nga dëshmitarët e luftës Kosovë-Serbi. Ai ka qenë atje duke raportuar kur avionët amerikanë hodhën bombat në Serbi pasi fillimisht kishin kaluar nga Shqipëria.

Mijëra gra, fëmijë dhe të moshuar të frikësuar u larguan nga serbët për t’u vendosur në Shqipëri. Dukej diçka e ngjashme me Luftën e Dytë Botërore.

Tani, pas viteve paqeje, populli i Kosovës pa dalje në det, viziton çdo verë Shqipërinë, dhe plazhet shqiptare përgjatë detit Adriatik.

Vendimi i Millosheviçit për të detyruar kosovarët të largoheshin nga atdheu i tyre çoi në bombardimin e Serbisë nga presidenti Bill Clinton, të cilin Biden e mbështeti. Biden, atëherë pjesë e Senatit, miratoi një rezolutë që autorizonte sulmet ajrore ndaj Serbisë, raporton abcnews.al

Millosheviç u arrestua në 2001 dhe u akuzua për krime lufte në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Ai vdiq në një qeli në Hagë në 2006 gjatë gjykimit të tij.

SHBA atëherë i konsideronte Thaçin dhe UÇK-në “të mirët” në luftën kundër Millosheviçit.

Nuk ka dyshim se mizoritë u kryen nga të dy palët.

Kritikët kanë theksuar se aktakuzat janë një përpjekje për të rishkruar historinë duke barazuar viktimën Kosovën me Serbinë agresore. Është si të fajësosh SHBA-në dhe Japoninë për sulmin japonez në Pearl Harbor.

Thaçi, i cili kishte jetuar në Zvicër, u kthye në Kosovë kur filloi lufta, duke u bërë komandant i UÇK-së. Pas përfundimit të luftës, ai u bë kryeministri i parë i Kosovës të pavarur. Ai u zgjodh president në 2016.

Biden, i cili nuk është aspak i huaj në Kosovë, vizitoi vendin e shkatërruar nga lufta me djalin e tij Beau Biden në 2001, dhe ishte pikërisht ky moment kur ai u takua për herë të parë me Thaçin. Biden udhëtoi në Camp Bondsteel, baza kryesore e SHBA-së nën KFOR (forca paqeruajtëse e NATO-s.)

Beau Biden shërbeu vullnetarisht si këshilltar i sistemit gjyqësor të sapo krijuar të Kosovës. Biden, nën postin e nënkryetarit u takua përsëri me kryeministrin Thaçi në Uashington në 2010.

Më pas në 2016, Biden, ende nënkryetar, vizitoi përsëri Kosovën. Këtë herë për një ngjarje të rëndësishme, emërimin e një autostradë kombëtare që çon në Kampin Bondsteel në nder të Beau Biden, cili vdiq nga tumori në tru në 2015.

Thaçi, luajti një rol kryesor kryesor në riemërtimin e autostradës dhe ndërtimin e një monumenti në nder të Beau Biden. Biden vlerësoi Thaçin për guximin e madh që kishte treguar në lindjen e demokracisë në Kosovë.

Por tani Biden do të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe Thaçi ndodhet ende në gjyq.