14:30 / E Enjte, 22 Korrik 2021 / AR

A do ta përkrahin LDK, VV, AAK e NISMA, Bekim Jasharin për kryetar të Skenderajt?

Gara për kryetar të komunës së Skenderajt pritet të jetë mjaftë interesante. Kjo për faktin se zyrtarisht kryetari aktual, Bekim Jashari dhe ish kryetari për disa mandate, Sami Lushtaku nga PDK kanë shpallur kandidaturat  tyre.

Kryetari aktual ende nuk ka njoftuar nëse do të kanidoj si kandidat i pavarur apo në marrëveshje me ndonjë nga subjektet politike.

“Indeksonline”, ka provuar të marrë një qëndrim nga subjektet tjera politike, nëse do ta përkrahin Jasharin apo do t’i nxjerrin kandidatët e tyre.

Zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka ka thënë për “Indeksonline”, se AAK do të ketë kandidat për të gjitha komunat, përveç Hanit të Elezit.

“Vendimi i kryesisë së AAK-së është që të ketë kandidatët e saj në të gjitha komunat shqiptare, përveç Hanit të Elezit. Pra, edhe në Skenderaj”, ka thënë Blaka.

Në anën tjetër, Afrim Kabashi nga dega e Nismës në Skenderaj ka thënë për “Indeksonline”, se ende nuk kanë vendim përfundimtar si degë se si do të kandidojnë.

Ka thënë se do të bisedojmë me kryetarin e partisë, Fatmir Limaj dhe se nuk janë të interesuar që të krijohen përçarje në Skenderaj.

Ndërsa, LDK dhe Vetëvendosje nuk janë përgjigjur për këtë çështje.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Bekim Jashari kishte fituar bindshëm, ndërsa kandidati i AKR-së Musa Dervishaj kishte marrë 1474 vota,  Hysni Mehani nga Vetëvendosje, 529 vota, ndërsa Isa Fejzullahu nga LDK 365 vota.

NISMA e AAK e kishin mbështetur kryetarin aktual Bekim Jashari./Indeksonline/