75 Mall Live Search
12:00 / E Premte, 31 Janar 2020 / indeksADMonline

A do të “fryhen” faturat për mbledhjen e bërllokut në 9 euro, në Mitrovicë?

Kompania e pastrimit në Mitrovicë “Uniteti” përmes një ankete, pak ditë më parë ka pyetur qytetarët që të rrisë çmimin e tarifës së pagesës për amvisëritë nga 4.5 në 9 euro, shkruan IndeksOnline.

Në njoftim thuhet se kjo thirrje është bërë në mënyrë që punëtorëve fizikë t’u bëhen pagat 550 euro.

 “Në mënyrë që pagat e punëtorëve fizikë të dyfishohen dhe të bëhen 550 euro, duhet të dyfishohet edhe tarifa e pagesës për amvisëritë nga 4.5 në 9 euro.

Qytetarë të nderuar, duke e parë se shumë prej jush në komente kërkoni paga më të mira për punëtorët e pastrimit, a pajtoheni që të dyfishohet edhe tarifa e pagesës? KOMENTOJENI!

(Vitin e kaluar KRM “Uniteti” i ka rritur pagat e punëtorëve fizikë për 20%.)”, thuhej në njoftim.

Por, drejtori i kësaj kompanie, Gazmend Morina, për IndeksOnlinen ka thënë se nuk do të ngrihen tafirat për mbledhjen e mbeturinave pasi që qytetarët nuk janë pajtuar me këtë gjë.

“Ajo ka qenë vetëm një anketë online. Komunat munden me i ngrit apo zvogëlu tarifat, sepse Ligji për Vetëqeverisje lokale i bënë përgjegjëse komunat për menaxhimin e mbeturinave. Ne vetëm mund te kërkojmë nga komunat rritjen e tarifave, mirëpo duke parë mos-disponimin e qytetarëve për një gjë të tillë, ne nuk do ta bëjnë një kërkese të tillë”, ka thënë ai.

IndeksOnline ka kontaktuar edhe Komunën e Mitrovicës, e cila ka thënë se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për ngritjen e tarifave të amvisërisë dhe nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim të tyre për këtë çështje.

“Pas pyetjeve tuaja kemi kontaktuar “Unitetin”, ku menaxhmenti na ka bërë të ditur se pas rezultateve të anketës ka ardhur në përfundim se nuk do ta bëjë një kërkesë të tillë. Rrjedhimisht komuna nuk mund të ketë qëndrim pa pasur kërkesë dhe arsyetim të kërkesës”, thuhet në përgjigje.

Anketa ka qenë për gjithë territorin ku vepron “Uniteti”, e që janë edhe komunat: Vushtrri dhe Skenderaj. Mitrovica është vetëm njëra nga tri komunat aksionare në KRM “Uniteti”./IndeksOnline/